Kërkohen sanksione për deputetët që mungojnë në seanca

Në këtë legjislaturë nuk kanë qenë të pakta rastet kur Kuvendi nuk ka mundur të miratojë vendime të rëndësishme për shkak të mungesës së kuorumit, pasi deputetët vetëm nënshkruhen në listën e mëditjeve dhe më pas nuk qëndrojnë në sallë.

Kështu përfaqësues të partive politike po kërkojnë që deputetët “mashtrues” të sanksionohen.

Megjithatë, përfaqësues të opozitës thonë se sanksione duhet të ketë edhe për kryeministrin, edhe për ministrat të cilët në të shumtën e rasteve e shpërfillin Kuvendin duke mos marrë pjesë në seancat plenare, shkruan Zëri.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës Xhavit Haliti, i cili në seancën e fundit parlamentare i paralajmëroi deputetët që mungojnë pa arsye për heqje të mëditjeve, ka thënë që këtë gjë e ka bërë në mënyrë që të shtohet përgjegjësia e tyre ndaj Kuvendit.