Kërkohet paraburgim ndaj personave që tentuan të transportojnë 15 kg drogë në Serbi

Prokuroria Themelore në Gjilan, ka kërkuar nga Gjykata kompetente në Gjilan, caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të dyshuarve F.H. dhe A.N., me dyshimin se kanë kryer veprën penale ‘’Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’’.

Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar që, më 8 shtator rreth mesnatës, të dyshuarit në bashkëveprim, me dashje dhe pa autorizim kanë transportuar substancë narkotike të llojit ‘’Marihuanë’’, në peshë prej 15 kg, të cilën e kanë pasur të mbështjellë në një valixhe.

Të dyshuarit, janë dakorduar që këtë substancë narkotike përmes pikës kufitare ‘’Dheu i Bardhë’’, ta transportojnë në Republikën e Serbisë, mirëpo pasi janë afruar tek pika kufitare, nga frika që të mos hetohen nga organet e ndjekjes, në një distancë prej 500 metra, të njëjtën e kanë hedhur nga dritarja e automjetit, me qëllim që t’i shmangen identifikimit të tyre, ku më 31 tetor, janë identifikuar dhe arrestuar.

Në këtë rast, është i përfshirë edhe një person i dyshuar, i cili për momentin gjendet në arrati.