Këshilli i Sigurimit i OKB-së seancë urgjente për luftën në Ukrainë

Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet sot për herë të katërt brenda një jave, për një seancë urgjente për shkak të luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Këshilli do të votojë nëse do t’i referohet Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, një rezolutë kundër inkursionit të Moskës, të bllokuar nga Rusia të premten. Ky do të ishte një votim procedural, që do të thotë se 9 nga 15 anëtarët duhet të bien dakord. Pa veto, ajo konsiderohet e sigurt.

Takimi do të mbahet në orën 3 pasdite, sipas diplomatëve.

Rezoluta dënon agresionin e Rusisë “në termat më të fortë” dhe rikonfirmon sovranitetin dhe integritetin territorial, si dhe pavarësinë dhe unitetin e Ukrainës. Ajo kërkon tërheqjen e menjëhershme të Rusisë dhe kthimin në Marrëveshjen e Minskut.

Teksti, i hartuar nga SHBA-ja, thotë se Këshilli duhet të vendosë që Federata Ruse të tërheqë menjëherë, plotësisht dhe pa kushte të gjitha forcat e saj ushtarake nga territori i Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht. /atsh