Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin i Kuvendit të Shqipërisë ka mbajtur sot mbledhje për çështjen ndaj zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, raporton Anadolu.
Gjatë mbledhjes e cila shqyrtoi kërkesën e prokurorisë për dhënin e autorizimit “për arrestimin/heqjen e lirisë” ndaj Ballukut, prokurorët e çështjes në fjalë kanë paraqitur parashtrimet dhe provat e tyre, ndërkohë edhe pala mbrojtëse e Ballukut ka paraqitur pretendimet e saj.
Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes, kryetari i grupit parlamentar të partisë në pushtet, Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se beson që masa e pezullimit për Ballukun është e mjaftueshme.
“Kuvendi i Shqipërisë ka marrë kohën e nevojshme, sa kohë që në këtë proces u përfshi edhe Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë”, tha Balla.
Kryetari i grupit parlamentar të partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi pas mbledhjes se ajo që konfirmoi prokuroria është që “situata penale ndaj Ballukut është rënduar së tepërmi krahasuar me masat e para që gjykata ka dhënë ndaj saj”.
Raportohet se përfaqësuesit e Partisë Socialiste dhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike do të dalin me dy raporte, që më pas do të kalojnë për votim në seancë plenare.
Çështja ndaj zv.kryeministres Balluku
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) vendosi më 19 nëntor 2025 të pezullojë nga detyra zv.kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe gjithashtu ka vendosur ndaj saj edhe masën “ndalim të daljes jashtë shtetit”.
Sipas autoriteteve ajo akuzohet për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Çështja u dërgua nga Qeveria e Shqipërisë në Gjykatën Kushtetuese, e cila kundërshton pezullimin.
Më 12 dhjetor, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë vendosi pezullimin e vendimit të GJKKO-së. Më 16 dhjetor, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar(SPAK) konfirmoi se i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë dhënin e autorizimit “për arrestimin/heqjen e lirisë” ndaj Ballukut.
Më 6 shkurt, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës për pezullimin ndaj Ballukut.



