Këto janë marrëveshjet e nënshkruara sot mes dy Qeverive

Pas mbajtjes së mbledhjes së përbashkët të dy Qeverive ka filluar nënshkrimi i marrëveshjeve.

Pas mbajtjes së mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, ashtu edhe siç u paralajmërua, të dy Qeveritë nënshkruan nëntë marrëveshje, raporton lajmi.net.

Këto marrëveshje pritet që të heqin barrierat në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.

Këto janë marrëveshjet që u nënshkruan sot në Pejë në mes të dy Qeverive:

Nënshkrimi i Marrëveshjes për heqjen e çmimeve të shërbimeve Roaming për rrjetet publike të komunikimeve të lëvizshme ndërmjet ministrive përgjegjëse për fushën e komunikimeve elektronike të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.

Nënshkrimi i Protokollit për Kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit doganor në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Morinë-Vërmicë, në mes të Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovë dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë së Republikës së Shqipërisë.

Nënshkrimi i marrëveshjes për bashkëpunimin në fushën e borxhit publik, financimeve të huaja dhe marrëdhëniet me institucionet Financiare Ndërkombëtare.

Nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Agjencisë për pronësinë industriale të RKS dhe Drejtorisë së përgjithshme të pronësisë industriale të Republikës së Shqipërisë.

Nënshkrimi i Protokollit ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës, për njohjen bilaterale dhe unifikimin e modeleve të certifikatave shëndetësore, veterinare dhe fito sanitare që do të shoqërojnë ngarkesat e kafshëve të gjalla, produkteve me origjinë shtazore dhe produktet bimore gjatë importit, eksportit dhe transitit midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.

Nënshkrimi i Marrëveshjeve për bashkëpunim në fushën e Rinisë.

Nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për bashkëpunim, nxitjen e biznesit dhe të informimit të diasporës.

Nënshkrimi i Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për njohjen reciproke të patentë shoferëve.

Nënshkrimi i Projekt “marrëveshjes së bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë, ndërmjet ministrisë shëndetësisë dhe mbrojtës sociale të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës.