Këto janë shtatë skuadrat kualifikuese në Kupën e Kosovës

Janë mbyllur sot edhe tri sfida interesante të Kupës së Kosovës, duke kompletuar shtatë skuadrat kualifikuese për në çerekfinale.

Ekipi i Prishtinës arriti që me rezultat minimal 1 me 0 të mposhte Vëllazimin e Gjakovës. Golin e vetëm në këtë përballje e shënoi Liridon Leci, nga pika e bardhë e penalltisë, shkruan IndeksOnline

Fitore arriti edhe skuadra e Lirisë dhe e Besës së Pejës që eliminuan skuadrat, Bashkimi dhe Drita.

Takimi i paraparë të zhvillohej sot, mes Flamurtarit dhe Trepçës është shtyrë për shkak të motit jo të mirë dhe fushës me borë. Ndeshje kjo e cila mbetet për t’i kompletuar çerekfinalistet e Kupës.

Dje rrethin e 1/8-ës për mrekulli e kaluan, Ferizaji që mposhti Gjilanin, Drenica që eliminoi Kekun, Llapi që mposhti Feronikelin dhe Trepça 89’ që deklasoi Hajvalinë.

Pra, ekipet që kanë vazhduar për në rrethin tjetër janë këto: Ferizaj, Drenica, Llapi, Trepça 89, Prishtina, Besa e Pejës dhe Liria.

Shorti për çerekfinalen hidhet kur Federata e Futbollit të Kosovës merr vendimin. E, këto përballje priten të zhvillohen në mes të muajit mars.