KFOR-i publikon pamje gjatë patrullimit në veri: Testuam aftësitë tona për të vazhduar sigurimin e lëvizjes së lirë

Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO gjatë ditëve të fundit ka kryer disa ushtrime në veri të Kosovës, ku situata vazhdon të jetë e tensionuar.

KFOR-i në llogarinë zyrtare në Facebook, ka publikuar pamje gjatë patrullimit në veri, ndërsa ka thënë se kjo është bërë për të testuar aftësitë e tyre për të vazhduar sigurimin e një mjedisi të sigurt.

“Gjatë ditëve të fundit, misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO ka kryer një sërë ushtrimesh në veri të Kosovës për të testuar aftësitë e tij për të vazhduar sigurimin e një mjedisi të sigurt dhe të lirë të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, thuhet në postimin e tyre.

Tutje, KFOR-i ka thënë se këto aktivitete janë kryer në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me akterët kryesorë në zonë dhe në përputhje me mandatin e KFOR-it në OKB bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999.

Ndryshe, situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë e tensionuar. Gjithsej nëntë barrikada janë ngritur nga serbët lokalë, duke bllokuar rrugët në atë pjesë.

Pjesëtarët e KFOR-it kanë shtuar prezencën në të dy drejtimet e kufijve me Serbinë.

Aty po qëndrojnë edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të cilët kujdesen për sigurinë e qytetarëve shqiptarë e serbë.

Barrikadat janë ngritur më 10 dhjetor si shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të ish-zyrtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.

Ai dyshohet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më herët gjatë muajit dhjetor.