Kina hakmerret ndaj SHBA, tarifa të reja mallrave amerikane

Kina nuk ka vonuar shumë për t’iu përgjigjur Donald Trumpit.

Pasi ky i fundit dyfishoi tarifat mbi mallrat kineze me vlerë 200 miliardë dollarë, Pekini tha se do të vendosë taksa mbi mallrat amerikane me vlerë 60 miliardë dollarë duke filluar nga 1 qershori, në një lëvizje që e ashpërson edhe më shumë luftën tregtare dypalëshe.

Lëvizja vjen vetëm 3 ditë pasi Shtetet e Bashkuara rritën me më shumë se dy herë tarifat mbi importet kineze. Më herët, presidenti amerikan Donald Trump mohoi që konsumatorët amerikanë do të ishin ata që do të paguanin tarifa më të larta mbi importet kineze, e kërcënoi Kinën të mos kundërvepronte.

Por, Pekini tha se nuk do të kapërdinte më fruta të hidhura që dëmtojnë interesat e saj. Taksat kineze do të aplikohen mbi më shumë se 5.000 produkte amerikane dhe variojnë nga 5 deri në 25 për qind.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze tha në një konferencë për shtyp në Pekin se, Kina nuk do të dorëzohej asnjëherë përballë presioneve të jashtme. Menjëherë më pas erdhi edhe reagimi në Twitter i presidentit amerikan.

“Kina nuk duhet të hakmerret. Nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do t’i përkeqësojë gjërat”, shkruan shefi i Shtëpisë së Bardhë. Sipas tij, Kina ka përfituar shumë nga Shtetet e Bashkuara për shumë vite radhazi, ndërkohë që shtoi se konsumatorët amerikanë mund t’i evitojnë tarifat duke blerë të njëjtat produkte nga burime të tjera.