Kina i kërkoi sot SHBA-së të zvogëlojë rezervat e saj bërthamore, të marrë përgjegjësinë për çarmatimin bërthamor dhe të krijojë kushte që shtetet e tjera bërthamore të bashkohen me procesin e çarmatimit bërthamor, transmeton Anadolu.
“SHBA-ja si superfuqi bërthamore që posedon arsenalin më të madh bërthamor në botë, duhet të përmbush përgjegjësinë e saj të veçantë dhe parësore për çarmatimin bërthamor, të bëjë shkurtime të mëtejshme drastike dhe thelbësore në arsenalin e saj bërthamor dhe të krijojë kushte që shtetet e tjera bërthamore të bashkohen me procesin e çarmatimit bërthamor. Kjo duhet të jetë një përparësi e lartë për SHBA-në”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian në konferencën për mediat në Pekin.
Kina po reagon ndaj raportimeve se Pekini po zgjeron raketat e tij balistike ndërkontinentale me 100 në tre fusha silo dhe se nuk dëshiron bisedime për kontrollin e armëve.
“Kemi dëgjuar të njëjtën histori të treguar dhe të ritreguar nga SHBA-ja për të krijuar pretekst për përshpejtimin e përmirësimit të energjisë bërthamore të SHBA-së dhe prishjen e stabilitetit strategjik global. Komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë plotësisht i vetëdijshëm për këtë”, deklaroi Jian.
Ai theksoi se “Pekini mbetet i përkushtuar fuqimisht ndaj politikës së mospërdorimit të parë të armëve bërthamore dhe një strategjie bërthamore që përqendrohet në vetëmbrojtje”.
“Kina e mban fuqinë e saj bërthamore në nivelin minimal të kërkuar nga siguria kombëtare dhe nuk përfshihet në asnjë garë armësh bërthamore me asnjë vend”, shtoi Jian.
Sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI), Rusia mban arsenalin më të madh bërthamor në botë, me 5.459 koka bërthamore, e ndjekur nga SHBA-ja me 5.177. Së bashku, të dy vendet përbëjnë afërsisht 90 për qind të totalit të armëve bërthamore në botë.
Ndërsa rezervat e Kinës mbeten dukshëm më të vogla, ato po zgjerohen me shpejtësi, duke arritur në 600 koka bërthamore nga 500 gjatë vitit, zgjerimi më i shpejtë midis të gjitha shteteve të armatosura bërthamore, sipas SIPRI-t.



