Kina kundërshton kërcënimin nga Zelenskyy për sanksione ndaj individëve kinezë

Kina të martën kundërshtoi kërcënimin me sanksione ndaj individëve kinezë nga Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, transmeton Anadolu.

“Kina gjithmonë kundërshton të gjitha sanksionet e njëanshme që shkelin të drejtën ndërkombëtare dhe nuk kanë autorizime nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara”, u tha gazetarëve në Pekin zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Lin Jian.

“Ne i bëjmë thirrje palës ukrainase që të korrigjojë menjëherë gabimet e saj. Kina do të mbrojë të drejtat dhe interesat legjitime dhe të ligjshme të kompanive dhe shtetasve kinezë”, tha Lin.

Komentet e Pekinit erdhën pasi Zelenskyy të hënën tha se Ukraina po “përgatit disa vendime të tjera për sanksione kundër subjekteve ruse dhe atyre që mbështesin agresionin rus deri në fund të këtij viti”.

“Do të ketë të paktën një paketë sanksionesh që synojnë ata që punojnë me kompleksin ushtarako-industrial rus, i cili përfshin jo vetëm individë nga Rusia, por edhe, në veçanti, nga Kina”, tha ai në një deklaratë të postuar në llogarinë e tij në platformën e kompanisë amerikane të mediave sociale X.

Megjithatë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze tha se Pekini ka qenë “që nga dita e parë e krizës… në komunikim të ngushtë me Rusinë, Ukrainën dhe të gjitha palët e tjera të interesuara”.

“Kina është e përkushtuar për t’i dhënë fund konfliktit, duke nxitur bisedime për paqe. … Kina mbështet të gjitha përpjekjet që çojnë në paqe dhe do të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv”, tha Lin.

Lufta e vazhdueshme Rusi-Ukrainë ka vrarë, plagosur dhe zhvendosur miliona njerëz që nga shkurti i vitit 2022.

Së bashku me Brazilin, Kina ka krijuar “Grupin e Miqve të Paqes” për të promovuar një zgjidhje politike për krizën ukrainase.