Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kina paralajmëron SHBA-në: përdorimi i inteligjencës artificiale në luftë mund të shkelë...

Kina paralajmëron SHBA-në: përdorimi i inteligjencës artificiale në luftë mund të shkelë kufijtë etikë

Kina ka paralajmëruar se përdorimi i inteligjencës artificiale (AI) nga ushtria e Shteteve të Bashkuara për të ndikuar në vendimet e luftës mund të minojë kufijtë etikë dhe përgjegjësinë në konfliktet ushtarake.

Zëdhënësi i Ministrisë kineze të Mbrojtjes, Jiang Bin, reagoi ndaj raporteve se Departamenti amerikan i Mbrojtjes u ka kërkuar kompanive teknologjike amerikane t’i japin ushtrisë qasje të pakufizuar në teknologjitë e inteligjencës artificiale.

Sipas tij, përdorimi i pakufizuar i AI-së në operacione ushtarake dhe dhënia e rolit të madh algoritmeve në vendimet e luftës mund të rrezikojë etikën dhe kontrollin njerëzor.

“Përdorimi i AI-së për të shkelur sovranitetin e vendeve të tjera dhe për t’i dhënë algoritmeve fuqinë të vendosin për jetën dhe vdekjen jo vetëm që dobëson kufijtë etikë në luftë, por gjithashtu rrezikon një zhvillim teknologjik jashtë kontrollit”, tha Jiang.

Ai paralajmëroi se një skenar i errët si ai i paraqitur në filmin amerikan “The Terminator” mund të bëhet realitet nëse teknologjia përdoret pa kufizime.

Kina theksoi se të gjitha sistemet e armëve që përdorin inteligjencën artificiale duhet të mbeten nën kontroll njerëzor dhe se “primacia e njeriut” duhet të ruhet në çdo përdorim ushtarak të kësaj teknologjie.

Zyrtarët kinezë shtuan se Pekini është i gatshëm të punojë me vendet e tjera për të krijuar rregulla ndërkombëtare për përdorimin e AI-së, me qëllim parandalimin e rreziqeve dhe sigurimin që zhvillimi i teknologjisë të shërbejë për përparimin e njerëzimit. /mesazhi