“BE-ja duhet të respektojë rregullat e tregut dhe të ndalojë së përgjithësuari konceptin e sigurisë kombëtare dhe duhet të sigurojë një mjedis korrekt për kompanitë e huaja”, tha në reagimin e saj, zëdhënesja e MPJ-së së Kinës, Mao Ning.
Duke reaguar ndaj ndalesës së Bashkimit Evropian (BE) për platformën e popullarizuar të mediave sociale TikTok, Kina sot i kërkoi BE-së të “sigurojë një mjedis biznesi që nuk është diskriminues për kompanitë e të gjitha vendeve”.
“Ndalesa e BE-së për TikTok-un nga pajisjet e stafit minon besimin e komunitetit ndërkombëtar në mjedisin e biznesit të BE-së”, citoi media shtetërore zëdhënësen e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning, e cila u prononcua në një konferencë për media sot në Pekin.
Komisioni Evropian më 23 shkurt u kërkoi zyrtarëve të tij të heqin aplikacionin kinez të mediave sociale TikTok nga pajisjet e tyre për shkak të “shqetësimeve të sigurisë”.
Ata thanë se do të ndërpresin përdorimin e aplikacionit TikTok nga pajisjet e saj të korporatave dhe ato personale të lidhura me sistemin e institucionit.
Në aspektin praktik, punonjësit do të duhet të heqin aplikacionin e ndarjes së videove të shkurta nga pajisjet e tyre që i përdorin për punë.
“BE-ja duhet të respektojë rregullat e tregut dhe të ndalojë së përgjithësuari konceptin e sigurisë kombëtare dhe duhet të sigurojë një mjedis korrekt për kompanitë e huaja”, shtoi Mao.
Disa vende perëndimore kanë ngritur shqetësime të supozuara për sigurinë lidhur me përdorimin e aplikacionit kinez të mediave sociale.
Kanadaja gjithashtu ka ndaluar TikTok-un nga të gjitha pajisjet qeveritare të hënën për arsye të supozuara sigurie.
“Mund të jetë fillimi i një aksioni të mëtejshëm”, tha kryeministri kanadez, Justin Trudeau, ndërsa deputetëve në Danimarkë iu “kërkua çinstalim i menjëhershëm” i aplikacionit TikTok nga pajisjet e tyre të punës – celularët, tabletët dhe kompjuterët “për shqetësime sigurie”.
ShBA-ja ka thënë gjithashtu se ka ndërmarrë “të gjitha hapat e nevojshme” për të mbrojtur të dhënat e amerikanëve. /trt


