Kina: Strategjia e SHBA-së rrit rrezikun e një tragjedie të ngjashme me Ukrainën në Indopaqësor

Wang Yi

Ministri i Punëve të Jashtme të Kinës, Wang Yi, paralajmëroi se veprimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Indopaqësor rrisin rrezikun që një krizë e ngjashme me atë në Ukrainë të ndodhë në rajon.

“SHBA-ja përpiqet të krijojë tension rajonal dhe të nxisë antagonizëm e konfrontim duke përparuar me Strategjinë për Indopaqësorin”, deklaroi Wang Yi gjatë një telefonate me homologun e tij vietnamez, Bui Thanh Son, të enjten.

Ai tha se lëvizjet e Uashingtonit “do të dëmtojnë seriozisht paqen dhe zhvillimin e fituar me vështirësi në rajon dhe do të gërryejnë seriozisht arkitekturën e bashkëpunimit rajonal me qendër ASEAN-in (Shoqata e Kombeve të Azisë Juglindore)”, sipas një deklarate të Ministrisë kineze të Punëve të Jashtme.

“Ne s’mund të lejojmë që mentaliteti i Luftës së Ftohtë të ringjallet në rajon dhe tragjedia e Ukrainës të përsëritet rreth nesh”, theksoi shefi i diplomacisë kineze.

Wang Yi vuri në pah se kriza e Ukrainës ilustroi gjithashtu kurthet e politikës së bllokut duke i bërë “vendet aziatike të kuptojnë se ruajtja e paqes dhe e stabilitetit është e çmuar dhe se kënaqja me konfrontimin e bllokut do të çojë në rreziqe të pafundme”.

“Kina do të luajë një rol aktiv për të siguruar paqen e stabilitetin në rajon dhe për të përballuar efektet e përhapura të krizës në Ukrainë”, shtoi ai.

Kurse ministri i Punëve të Jashtme të Vietnamit, Bui Thanh Son, potencoi se vendi i tij “ndan shumë ngjashmëri me Kinën për sa i takon pozicionit që mban lidhur me çështjen e Ukrainës”.

Son tha se Vietnami dëshiron që të dyja palët “të respektojnë Kartën e OKB-së dhe të drejtën ndërkombëtare, si dhe të kërkojnë një zgjidhje afatgjatë të dallimeve mbi bazën e respektimit të të drejtave dhe interesave të ligjshme të të gjitha palëve”. /trt