Kisha e parë në historinë e Republikës së Turqisë hapet më 8 tetor – VIDEO

Kisha e Lashtë Ortodokse Siriane “Mor Efrem”, e para në historinë e Republikës së Türkiye-s, gurthemeli i së cilës u hodh me pjesëmarrjen e presidentit Recep Tayyip Erdoğan në vitin 2019, do të hapet me një ceremoni më 8 tetor të dielën, raporton Anadolu.

Lidhur me hapjen e kishës, të ndërtuar në një vend ku gjenden Varrezat Katolike Latine në rrethin Yeşilköy të Istanbulit, kreu i Fondacionit Istanbul Syriac Kadim Foundation Sait Susin, shprehu se janë shumë të emocionuar.

Duke njoftuar se procesi i ndërtimit të kishës ka zgjatur për 10 vjet, Susin tha se 7 vite kanë kaluar nëpër formalitete dhe procedura të caktuara.

Ai rikujtoi se gurthemeli i kishës u hodh nga presidenti Erdoğan në vitin 2019. “Hapjen do ta bënim më 19 shkurt, por tërmetet e 6 shkurtit na ndaluan. Ishte një dhimbje e madhe për vendin. Nuk mund të bëhej fjalë të bëjmë hapje në një mjedis të tillë. Më pas erdhën Ramazani, bajramet. Hapja mbeti për të dielën. Inshallah të dielën përsëri me pjesëmarrjen e presidentit tonë do ta realizojmë hapjen. Natyrisht jemi shumë të emocionuar, shumë të lumtur”, u shpreh ai.

Sipas tij, të gjithë asirianët në botë kanë ndjekur me emocione procesin dhe në mesin e tyre gjenden edhe ato që duan të gjenden në hapje. “Pranojmë shumë telefonata. Kjo është edhe prestigj për vendin tonë. Është mesazh i mirë për vendin tonë ndaj paragjykimeve nga jashtë. Qoftë për hajr për vendin tonë, neve dhe të gjithëve. Shpresoj që lutjet që do të bëhen këtu do të jenë të dobishme për rritjen e unitetit dhe solidaritetit të vendit tonë”, tha Susin.

Susin tha se në hapje do të ketë një përfaqësues të Patriarkanës si dhe një pjesëmarrje të gjerë nga brenda dhe jashtë vendit.

Gjatë hapjes, shpjegon Susin, do të ketë pjesëmarrje edhe nga zyrtarë të shtetit ndërsa në katin e sipërm të kishës do të pranohet komuniteti si dhe në kishë 750 njerëz mund të ulen dhe të bëjnë adhurime në të njëjtën kohë.

Ai shtoi se kisha do të plotësojë në masë të madhe nevojat e tyre, pasi nuk kanë ndonjë vend tjetër në pronësi të tyre. Susin tha se shërbesa e parë, të cilën ata e quajnë “bekimi i kishës”, do të bëhet të dielën pas hapjes.

Një kat, prej gjithsej pesë kate të kishës, iu nda sallës së kulturës, ku do të mblidhet komuniteti pas shërbesës, ku do të kryhen ceremoni të tilla si pagëzimet, ngushëllime dhe dasma si dhe takime e konferenca.

Kisha përfshin edhe zonën e mitropolitit, dhomat për mysafirë dhe parkingun.