Kishat e Kudsit dënojnë sulmet e kolonëve hebrenj ndaj varrezës së krishterë

Patriarkët dhe krerët e kishave në Kuds dënuan shkatërrimin e më shumë se tridhjetë varreve nga kolonët hebrenj, të cilët hynë fshehurazi në varrezën protestante në Kodrën Sion në Kudsin Lindor të dielën, më 1 janar, në festën e Vitit të Ri, transmeton Anadolu Agency (AA).

Patriarkët dhe krerët e kishave në Kuds lëshuan një deklaratë të përbashkët me shkrim në lidhje me zhvillimin.

“Ne, si patriarkë dhe kryetarë të kishave në Kuds, jemi thellësisht të shqetësuar nga përdhosja e më shumë se 30 gurëve të varreve në varrezën protestante në Kodrën Sion në natën e Vitit të Ri”, thuhet në deklaratë.

Në deklaratë thuhet se kamerat e sigurisë zbuluan se “të paktën dy të rinj të veshur me kipa dhe tallit” thyen qëllimisht dhe brutalisht më shumë se tridhjetë gurë varresh, shumica prej tyre historike. Duke dënuar veprimet në fjalë, kishat deklaruan se autorët ishin të motivuar qartë nga fanatizmi fetar dhe urrejtja ndaj të krishterëve.

Në deklaratë u bëhet thirrje organeve përkatëse të ndjekin penalisht dhe arrestojnë autorët.

Policia izraelite më 4 janar tha se ekipet bënë një inspektim në vendngjarje dhe nisën një hetim pasi morën lajmërimin se shumë gurë varresh ishin shkatërruar në varrezën protestante në Kodrën Sion.

Varreza në Kodrën Sion, afër Qytetit të Vjetër në Kudsin Lindor të pushtuar, ku ndodhet Mesxhid al-Aksa, iu dha të krishterëve protestantë në vitin 1848 gjatë periudhës së Perandorisë Osmane.

Vendet e shenjta të krishtera dhe pjesëtarët e komunitetit të krishterë sulmohen dhe ngacmohen shpesh nga kolonët fanatikë hebrenj. Krahas akteve të dhunës ndaj muslimanëve, kolonët hebrenj shquhen edhe me veprime si pështyrja e besimtarëve të krishterë dhe dëmtimi i varrezave të tyre.