“Koalicioni i të Gatshmëve” ka rikonfirmuar “mbështetjen e palëkundur” për Ukrainën dhe u zotua të përshpejtojë përpjekjet për arritjen e një paqeje të qëndrueshme, transmeton Anadolu.
“Ne mbetemi të vendosur për të sjellë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën, në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare, përfshirë Kartën e OKB-së, e cila do të ruajë interesat e sigurisë së Ukrainës dhe tonat”, thanë në një deklaratë bashkëkryesuesit e grupit joformal prej 35 vendesh, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, pas një takimi në Paris.
Duke u bazuar në rezultatet e samitit të G7-tës në Evian të Francës dhe samitit të NATO-s në Ankara, ata përsëritën mbështetjen e palëkundur për Kievin.
Deklarata theksoi se mes vendeve pjesëmarrëse ekziston një konsensus i gjerë mbi negociatat e paqes, mbështetjen për Ukrainën dhe presionin ndaj ekonomisë së luftës së Rusisë, si dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën.
“Ne përsërisim thirrjen tonë, në këtë kuadër, për një armëpushim të menjëhershëm dhe të plotë në Ukrainë dhe për rifillimin e negociatave të drejtpërdrejta”, thuhet në deklaratë.
Deklarata theksoi se vendet mbështesin propozimin për një dialog të drejtpërdrejtë mes Ukrainës dhe Rusisë, me pjesëmarrje aktive të SHBA-së dhe Evropës, për të arritur një armëpushim duke nisur nga vija e kontaktit dhe për të mbështetur negociata të mëtejshme domethënëse.
Sipas deklaratës, vendet ranë dakord për disa parime, përfshirë se “nuk mund të ketë paqe pa Ukrainën”, se “asnjë marrëveshje që lidhet me interesat dhe sigurinë evropiane nuk mund të negociohet pa evropianët” dhe se “asetet ruse do të mbeten të ngrira derisa Rusia të ndalojë luftën e saj të agresionit dhe të kompensojë Ukrainën për dëmet e shkaktuara nga lufta”, si dhe për garancitë e sigurisë për Ukrainën.
Sa u përket garancive të sigurisë, deklarata tha se partnerët e koalicionit mirëpritën “deklaratën e fortë” të presidentit amerikan, Donald Trump, për mbështetjen ndaj garancive të sigurisë gjatë samitit të NATO-s në Ankara.
“Ne rikonfirmojmë, siç përcaktohet në Deklaratën e Parisit të 6 janarit 2026, se një marrëveshje paqeje afatgjatë do të duhet të mbështetet nga garanci sigurie politikisht dhe ligjërisht të detyrueshme, të cilat do të aktivizohen sapo të hyjë në fuqi një armëpushim”, shtoi deklarata.




