Sipas koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite, dy anije të lidhura me Emiratet e Bashkuara Arabe kanë hyrë në portin Mukalla të Jemeni “pa autorizim” të cilat i kishin fikur sistemet e tyre të gjurmimit, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i koalicionit, gjeneral major Turki Al-Maliki, në platformën sociale të kompanisë amerikane X tha se dy anijet “hynë në portin Mukalla duke shkelur procedurat e zbatueshme në raste të tilla, pa autorizim hyrjeje nga qeveria jemenase ose udhëheqja e koalicionit”.
Al-Maliki tha se anijet “fikën sistemet e tyre të gjurmimit dhe identifikimit përpara se të hynin në ujërat territoriale të Jemenit”.
Më herët, koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite tha se ka kryer një sulm ajror “të kufizuar” ndaj dy anijeve që mbërritën në portin Mukalla nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Abu Dabi mohoi se dy anijet transportonin armë për Këshillin Tranzicional Jugor të Jemenit (STC), duke deklaruar se mjetet e shkarkuara nuk ishin të destinuara për asnjë palë jemene, por ishin dërguar për përdorim nga forcat e Emirateve të Bashkuara Arabe që veprojnë në Jemen.
Situata në jug të Jemenit u përshkallëzua në fillim të këtij muaji, pasi STC-ja, grupi kryesor separatist i vendit, mori kontrollin e provincave lindore Hadramaut dhe Al-Mahra pas përplasjeve me forcat qeveritare.
Përshkallëzimi u thellua më tej sot herët, kur Arabia Saudite i cilësoi veprimet e Emirateve të Bashkuara Arabe si “kërcënim për sigurinë e saj kombëtare”.
Në përgjigje, kryetari i Këshillit Presidencial të Udhëheqjes së Jemenit, Rashad al-Alimi, anuloi një pakt të përbashkët mbrojtjeje me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe i dha një afat 24-orësh forcave të Emirateve për t’u tërhequr nga vendi.
STC-ja vazhdimisht pretendon se qeveritë e njëpasnjëshme kanë margjinalizuar politikisht dhe ekonomikisht rajonet jugore dhe bën thirrje për ndarjen e tyre nga veriu, pretendime që autoritetet jemene i hedhin poshtë, duke këmbëngulur në ruajtjen e unitetit territorial të vendit.





