Koeman publikon listën me lojtarët e ftuar për ndeshjen ndaj Sociedadit, Rey Manaj pjesë e listës

Trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman ka publikuar listën me 23 futbollistë të ftuar për ndeshjen e parë të sezonit 2021/22 në La Liga ndaj Real Sociedadit.

Barcelona e pret në shtëpi Sociedadin në një takim që pritet të zhvillohet në Camp Nou nga ora 20:00.

Ekipi i Ronald Koeman ka zhvilluar një para-sezon fantastik dhe pritet ta vazhdojë formën e mirë edhe në La Liga.

Për këtë ndeshjes, trajneri holandez tashmë ka publikuar listën me 23 futbollistë të ftuar.

Pjesë e kësaj liste është edhe sulmuesi shqiptar, Rey Manaj, i cili zhvilloi një para-sezon fantastik.

Manaj pritet ta bartë fanellën me numër 14 këtë sezon, edhe pse fillimisht u përfol se mund ta merrte 10-shin e lënë bosh nga Lionel Messi.

Ndryshe, Manaj u regjistrua vetëm dje (e shtunë) së bashku me Memphis Depay dhe Eric Garcia, pasi Gerard Pique hoqi dorë nga 50 për qind e pagës së tij.