Komuna e Prishtinës ka marrë vendim që të mos lejojë transmetimin e Kampionatit Botëror “Russia 2018” në shesh.
Ky transmetim ishte planifikuar të bëhet nga kompani KD Events, por asaj i është revokuar pëlqimi nga Komuna. Zyrtarë të Komunës së Prishtinës nuk kanë dashur të flasin për këtë çështje, duke mos dhënë asnjë sqarim.
Drejtori ekzekutiv i KD Events, Kushtrim Demiri në një konferencë për media, ka thënë se një eveniment të ngjashëm kishin organizuar edhe para dy vitesh, por kësaj radhe nuk u lejua një gjë e tillë duke mos ditur arsyen e vërtetë të komunës dhe kryetarit të saj Shpend Ahmeti.
Demiri tha se kompania që ai drejton ka kryer të gjitha detyrimet dhe ka marrëveshje me transmetuesin publik për transmetimin në shesh të këtij eventi sportiv, ndërsa paralajmëroi se kjo çështje nuk do të përfundojë me kaq, pasi mos lejimi i transmetimit në shesh bëhet për interesa personale të Komunës së Prishtinës, shkruan KosovaPress.
“Ne do të kërkojmë edhe domethënë të gjitha hapat ligjorë, t’i shfrytëzojmë ato thjesht për humbje të cilat na kanë kushtuar. Por, gjithsesi edhe padia penale, edhe padia civile ndaj të gjithë personave që i kanë shkelur këto, për arsye se qyteti është i Prishtinës, qytetarëve të saj dhe nuk është i kryetarit”, tha Demiri.