Ballina Lajmet Kosovë ​Komunat të pafuqishme pas vërshimeve, kërkohet mbështetje nga Qeveria

​Komunat të pafuqishme pas vërshimeve, kërkohet mbështetje nga Qeveria

Uji u tërhoq, por pas tij la pas pasigurinë, dëmet dhe frikën për të nesërmen. Vërshimet që goditën disa komuna të vendit në fillim të janarit shndërruan shtëpi në vende të pabanueshme, biznese në humbje dhe infrastrukturën në kaos.

Qindra familje në Skenderaj dhe Fushë Kosovë kanë trokitur në dyert e komunave duke kërkuar vlerësim dhe ndihmë, ndërsa institucionet lokale paralajmërojnë se pa mbështetjen e Qeverisë, përballja me pasojat e kësaj fatkeqësie mbetet e pamundur. Në këtë situatë, kërkesa për një fond emergjent po bëhet gjithnjë e më urgjente.

Zëdhënësja e Komunës së Skenderajt, Besjana Thaçi thotë se deri në fund javës së kaluar kanë aplikuar 317 familje dhe disa biznese për vlerësim të dëmeve nga vërshimet.

Ndërsa, Komisioni komunal ka dalë në terren për t’i vlerësuar dëmet dhe më pas do të përcaktohen shumat e kompensimit.

“Atëherë deri më ditën e premte kanë aplikuar sipas drejtorisë së shërbimeve publike, 317 familje, të cilat konsiderojnë që janë dëmtuar nga vërshimet që kanë ndodhur në këtë muaj… Po, po, ka pasur edhe prej bizneseve të cilat janë dëmtuar gjatë këtyre vërshimeve dhe besoj që edhe aplikimet e tyre i kanë përfunduar. Tash komisioni nga dje, komisioni komunal për vlerësimin e dëmeve nga vërshimet ka dalë në teren në mënyrë që ta vlerësojë situatën edhe pastaj me dalë edhe me specifikat e tjera sa i përket se sa kanë me qenë shuma e dëmeve që janë shkaktuar në komunën e Skenderajt”, theksoi ajo.

Sipas Thaçit dora e shtetit për tu dal në ndihmë komunave, familjeve dhe bizneseve për tejkalimin e kësaj situate është e domosdoshme.

“Patjetër, komuna e Skenderajt me aq kapacitet sa ka me pas si nga ana buxhetore ashtu edhe për ndihmat e tjera që ka me i dhënë familjeve të Skenderajt, mirëpo patjetër që duhet edhe përkrahje nga niveli qendror i qeverisjes”, deklaroi Thaçi.

Përkrahjen nga niveli qendror e kërkon edhe komuna e Fushë-Kosovës e cila në vërshimet e fundit pësoi shumë.

Drejtori për Shërbime Publike në Komunën e Fushë-Kosovës, Izja Mjeku thotë se reshjet e fillim janarit shkaktuan dëme në infrastrukturë e ekonomi familjare të cilat janë të pamundura të mbështeten vetëm nga komuna.

“Dëmet të cilat janë shkaktuar, si në infrastrukturë ashtu edhe në ekonomitë familjare, është e pamundshme që komuna e Fushë Kosovës t’i mbulojë të gjitha. Mirëpo ne do t’i bëjmë kërkesa në ministritë përkatëse si të infrastrukturës edhe linjat përkatëse edhe aty do të kërkojmë ndihmë edhe shpresoj që do të hasim në mirëkuptim…. diku 20 familje i kemi evakuuar nga shtëpitë e tyre, janë vendos në banesa me qira që do të bëjnë kompensimin komuna. Një pjesë e tyre janë nëpër të afërmit e tyre, që tash thuajse veç janë në proces të kthimit nëpër, pasi që është bërë vlerësimi i dëmeve në ato shtëpia, ka filluar pastrimi i tyre dhe kthimi në vendin e tyre. Mirëpo komuna thashë edhe më parë që është e pamjaftueshme të kompensojë”, deklaroi ai.

Sipas tij deri tani në Komisionin për vlerësim të dëmeve janë adresuar 306 kërkesa, ndërsa ekipet tashmë janë në terren për vlerësim të dëmeve.

“Është në teren duke bërë vlerësimin e dëmeve. Deri tash kemi 306 kërkesa që kanë paraqitur qytetarët për vlerësimin e dëmeve si pasojë e vërshimesh. Në këtë numër prej 306-ve hyjnë pra ekonomitë familjare, bizneset edhe të gjitha”, shprehet Mjeku.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi kërkon krijimin e një fondi emergjent për komunat, që të ketë mbështetje të shpejtë financiare në raste fatkeqësish natyrore.

Sipas tij, nevojën për këtë linjë buxhetore e shton fakti se rimbursimet deri tani kanë qenë të pamjaftueshme dhe të vonuara për familjet, bizneset dhe infrastrukturën e dëmtuar.

“Neve si asociacion kemi kërkuar një vijë buxhetore, të cilën e kemi quajtur si fond emergjent për komuna, në mënyrë që ato mjete financiare të dedikohen për fatkeqësi natyrore për komuna në mënyrë që qytetarët të përfitojnë sa më shpejt që është e mundur. Sepse kemi edhe raste në komunat përkatëse ku rimbursimi i mjeteve është bërë në përqindje të vogël, për shembull 25% është bërë rimbursimi i mjeteve për ekonomi familjare nga ato të kërkuarat nga qytetarët e Republikës së Kosovës. Kemi komuna ku bizneset të cilat kanë qenë të dëmtuara nga vërshimet e viteve të kaluara ende nuk janë rimbursuar dhe kemi komuna të cilat kryetarët ankohen që infrastruktura e dëmtuar nga vërshimet e viteve të kaluara nuk është sanuar ende. Dhe është një domosdoshmëri e kohës që niveli qendror të mendojë që në buxhetin e vitit 2026 ta parashoh një vijë buxhetore për një përkrahje imediate, të një përkrahje urgjente ndaj komunave sa i përket fatkeqësive natyrore”, deklaroi Ibrahimi.

Që nga e enjtja, KP ka dërguar pyetje në Ministrinë e Financave, Qeverinë e Kosovës dhe ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal se a kanë marr ndonjë kërkesë për mbështetje nga komunat e prekura nga vërshimet, dhe si do t’u dalin në ndihmë atyre, por deri këtë të hënë, nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.

Reshjet që nisën më 5 janar sipas Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME), prekën komunat Fushë-Kosovë, Malishevë, Rahovec, Klinë, Mitrovicën e Jugut, Vushtrrinë, Drenasin, Skenderaj dhe Gjakovën.

Qeveria e Kosovës, në tetor të vitit 2023, ka ndarë nëntë milionë euro për rimëkëmbjen e ekonomive familjare të prekura nga fatkeqësitë natyrore në komunat e goditura.