Komunizmi në Shqipëri: “Ndërtimi i njeriut të ri komunist” – Panel nga studiuesit shqiptarë në Stamboll

Në sallën e konferencave të “İstanbul Şehir University” në Stamboll, pasditën e së shtunës u mbajt paneli me temën “Komunizmi në Shqipëri: Ndërtimi i njeriut të ri komunist”. Studentë dhe studiues të rinj shqiptarë shprehën pikëpamjet e tyre në lidhje me regjimin komunist në Shqipëri dhe pasojat shumëdimensionale që la ai në shoqërinë shqiptare.

Në kumtesën e tij, Blerim Halili vlerësoi rrethanat historike dhe sociale të depërtimit të komunizmit në Shqipëri si dhe faktorët që, sipas tij, ndikuan në fitoren e regjimit të diktaturës komuniste. Ai po ashtu bëri një rezyme të ndarjeve kryesore politike në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe të orientimeve kryesore konceptuale dhe ideologjike. Në lidhje me komunizmin si koncept politik, duke iu referuar disa autorëve, tha se ai duhet vlerësuar në kuadër të rrymave tjera politike që janë zhvilluar tek ne historikisht dhe se ai, për shkak të shumë arsyeve konceptuale dhe praktike, nuk është vazhdimësi e nacionalizmit shqiptar dhe traditës politike të tij.

Ndërsa Alkida Lushaj, shqyrtoi konceptin marksist, atë leninist dhe atë stalinist mbi “njeriun e ri” dhe prezantoi të gjeturat nga hulumtimi mbi mënyrat që ka përdorur regjimi komunist për ndërtimin e “njeriut të ri”, përfshirë arsimin, edukimin, bindjen, detyrimin dhe ndëshkimin, që rezultoi me transformime të gjera sociale, politike dhe kulturore. Ajo analizoi edhe arsyet që ndikuan tek regjimi për të ndërtuar njeriun e ri, tek i cili “duhej mishëruar tipare të forta komuniste në mënyrë që të mundësonte zhvillimin dhe ndërtimin me themele të forta të socializmit”. Lushaj, përmes skemave dhe intervistave paraqiti raste mbi mënyra e detyrimit dhe ndëshkimit dhe mënyrat e eliminimit të figurave të rëndësishme shkencore dhe politike gjatë asaj periudhe.

Në pjesën e dytë të panelit, nga pjesëmarrësit u shtruan tema të ndryshme për diskutim, si: fillet e demokracisë në Shqipëri dhe sfidat e saj, “anët pozitive” të regjimit, mënyrat e prezencës së sotme të mendësisë komuniste në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni, e të tjera. Paneli u organizua nga Nisma për Afirmim të Mendimit./NAM