Koncepti elektrik i Mercedes-Benz CLA, me vetëm një mbushje të baterisë mund të përshkojë deri në 750 kilometra

Kompania gjermane Mercedes-Benz në panairin e veturave në Minhen, ka prezantuar konceptin elektrik CLA.

I dizajnuar për të paralajmëruar ardhjen e modelit serik, koncepti paraqet coupen elegante me katër dyer dhe me “hundë peshkaqeni”, ka marrë një maskë të mbyllur në pjesën e përparme si dhe dritat që shfaqin logon e Mercedesit.

Nga Mercedesi thonë se sistemi operativ mund të memorizojë preferenca personale të shoferit dhe ka përqindje të madhe të përshtatjes, e në dispozicion është edhe asistenti virtual.

Në brendësi gjendet ekrani i rrumbullakët i integruar në sistemin e ventilimit. Përveç ekranit, koncepti ka ulëse të veshura me lëkurë të dyfishtë Nappa, detaje nga alumini në konzolën qendrore.

Kjo konzolë përmban mbajtësen e gotës, mbushësin pa tela për telefonat e mençur. Vetura është e bazuar në platformën modulare të Mercedes – MMA, kurse në versionin serik do të ofrohen dy lloje të baterive.

Edhe pse nuk ka shumë detaje, nga Mercedes thonë se bateria është “shumë e vogël”. Kapaciteti i saj nuk është konfirmuar, por pritet që me një mbushje kjo veturë të përshkojë deri në 750 kilometra.

Ka motor elektrik që peshon më pak se 110 kilogram, që prodhon 235 kuaj-fuqi. Humbjet janë minimale, sepse njësia e motorit elektrik bartë deri në 93 për qind të kapacitetit të baterisë në të gjitha rrotat.