Koncepti i zekatit në Kuran

Prof. Dr. Enes Karić

Zekati (dhënia e detyrueshme e pasurisë me qëllime të mira) është një nga fjalët shtytëse të Kuranit. Sipas Kuranit, zekati është i mbarsur me Islamin në kuptimin bazë të dhënies së pasurisë “moralisht të detyrueshme” për qëllime të së mirës dhe moralit. Por, me kalimin e kohës, zekati, si nga ana kuptimore ashtu edhe praktike, është ngushtuar në lëmoshë. Kështu, zekati prej kohësh ka rënë viktimë e interpretimeve reduktuese të Kuranit dhe interpretimeve që nuk marrin parasysh tërësinë e Librit themelor të Islamit. Ndër pasojat e rëndësishme të një interpretimi kaq prekës dhe patetik të fjalës zekat është përkthimi i saj semantikisht shumë i shpërndarë.
Për shembull, shumë përkthime të Kuranit në anglisht nga epoka të ndryshme të zekatit reduktohen kryesisht në lëmoshë ose fjalë sinonime të lëmoshës. Muhamed Marmaduke Pickthall(1), zekatin më së shpeshti e përkthen me fjalën the poor-due (“pjesa e varfër” nga pasuria në pronë, nga pasuria që “u shkon të varfërve”, “pjesa e varfër”). Në përkthimin popullor në anglisht të Kuranit nga Abdullah Yusuf Ali,(2) zekati përkthehet kryesisht me sintagmën regular charity (“lëmoshë e rregullt”, “dhënie e rregullt/në kontinuitet të lëmoshës”). Për më tepër, edhe në përkthimi më të fundit në anglisht të Kuranit nga Seyyed Hossein Nasri (dhe grupi përkthyesish),(3) zekatin e përkthejnë si alms, “lëmoshë.
Nga ana tjetër, përkthimet gjermane zekatin e përkthejnë ndryshe. Hartmut Bobzin,(4) përdor fjalën die Armensteuer (fjalë për “taksë për të varfrit”, “taksë e varfër”), ndërsa Max Henning,(5) fjalën zekat e përkthen vazhdimisht si die Steuer (“taksë” në kuptimin më të përgjithshëm).
Sigurisht, fjala kuranore zekat, është e vështirë të përkthehet me sukses në përvoja, sisteme dhe botë të tjera gjuhësore duke përzgjedhur një fjalë. Kjo mund të shihet edhe në luhatjet në përkthimet e Kuranit të cituara këtu. Ata që e përkthejnë zekatin me fjalën lëmoshë dhe sinonimet e saj, e humbin vëmendjen se fjala zekat në Kuran është një çift i barabartë me fjalën salat, e cila nënkupton përballje dhe takim i shumëfishtë i njeriut me Zotin, si dhe përballje dhe takim i Zotit me njeriun. Njëjtë sikurse që bëhet padrejtësia e fjalës salat kur përkthehet vetëm me fjalën lutje, ashtu bëhet padrejtësi edhe kur zekati përkthehet vetëm si lëmoshë. Kështu, është e gabuar ta shikosh salatin dhe zekatin vetëm në kontekstin e lutjes dhe lëmoshës, megjithëse të dyja fjalët pjesërisht, natyrisht, përfshijnë lutjen dhe lëmoshën. Këtë e ndjenin shumë përkthyes të Kuranit,
Kështu që në përkthimet e tyre ata e përkthyen fjalën salat në fjalën persiane namaz. Dhe fjala zekat u la si zekat, duke iu përmbajtur paprekshmërisë së kuptimit të saj origjinal dhe duke llogaritur se fjala zekat, ashtu si fjala salat, u afirmua në mënyrë konjitive nga devotshmëria islame dhe u bë e njohur përmes thesareve të kulturës

ZEKATI – FORMË E BASHKËPUNIMIT PASUROR MIDIS NJERIUT DHE ZOTIT

Ragib el Isfahani (vdiq më 1108 pas ‘Isa el Masihut, a.s.) në “Fjalorin e tij të Kuranit”(6) etimologjikisht kur e shqyrton fjalën zekat, pohon se ajo, përmban idenë e “shtimit” ose “rritjes” (en-numuww), kjo rritje ka një aureolë morale, sepse vjen nga bekimi i Zotit (barakah) në pronë, për më tepër, ky bekim kuptohet si në gjërat e kësaj bote dhe të asaj bote. Në të njëjtin vend, El Isfahani e përkufizon “zekatin si atë që njeriu e lë mënjanë sipas ligjit të Zotit për të varfrit (min haqqi llala t’a ala ila-fuqar’i)”. El Isfahani përmend shprehjen “tezkiyyatu n-nefs” (pastrimi i shpirtit) si pasojë e drejtpërdrejtë e dhënies së zekatit. Por, me zekatin pastrohet edhe pasuria. Sipas Azim Nanji, autor i tekstit enciklopedik mbi zekatin në “Encyclopaedia of the Qur’n,”(7) në kontekstin e zekatit nuk është vetëm “pastrimi i vetvetes” (the cleansing of oneseffl, por ka të bëjë edhe për “pastrimin e pasurisë” (the cleansing of one ‘s property). Nëse i kthehemi vendit të zekatit në tërësinë kuranore, kuptimi i asaj fjale do të jetë më i qartë për ne si një dhënie moralisht obliguese, e detyrueshme e pasurisë me qëllim të së mirës. Arsyet për rëndësinë e zekatit bëhen të dukshme vetëm kur dëgjohen shpalljet e Kuranit se “çdo gjë në qiej dhe në tokë i përket Zotit”(8), si dhe se njerëzit nuk ndajnë të tyren, por vetëm “atë që Zoti u ka dhuruar, furnizuar”(9) Kjo e bën njeriun të vetëdijshëm se duhet të rishqyrtojë nëse ai (në pasuri, mendje, shpirt…) është një qenie plotësisht autonome?! Dhe sa është njeriu një krijesë e përgjegjshme, e cila e mori këtë Tokë si një “trashëgim” të përkohshme, si dhe pasuritë, frutat dhe dhuratat e saj të shumta?! Nga thirrja e fuqishme e tërësisë kuranore vjen shpallja: “Zoti është i pasur dhe ju jeni të varfër”(10) d.m.th.: Zoti ju ka huazuar aftësitë, arritjet, fitimet, pasuritë tuaja dhe ju, në këtë mënyrë,keni hyrë në statusin e borxhlinjve të përparuar ndaj Zotit! Kështu i gjithë Kurani thotë: të japësh zekat dhe të japësh sadakat do të thotë t’i kthesh borxh Zotit. Këto shpalosje të përgjithshme të Kuranit shpjegojnë arsyet ose reason d ‘etre: se pasuria (që Kurani e quan nul ose amwal)(11) është e detyrueshme të shpenzohet për hir të së mirës duke i ndihmuar njerëzit dhe plotësuar nevojat e tyre, të gjitha në përputhje me parimin e bil-ma`rufi (promovimi i së mirës).(12) Është karakteristikë se në reshtin e Kuranit 2: 177, proklamohet se një person “duhet të japë pasuri, pavarësisht se është ajo pasuri e dashur për të” dhe se sa është afër zemrës ajo (wa ata l-mala ala hubbihi).(13)
Të gjitha këto shpallje të Kuranit shërbejnë si pikënisje për pranimin e zekatit si një detyrë morale e pacenueshme, si një trajtim moral i detyrueshëm si me pasurinë e dikujt ashtu edhe me kategoritë e veçanta të njerëzve që kanë “të drejtën e asaj pasurie (haqq)”, siç thotë Kurani.(14)
Por, kuptohet edhe nga vetë Kurani se, ndarja e pasurisë në rrugën e së mirës përfundon jo vetëm në mënyrën e “kthimit të Zotit atë që veç është e Zotit”, por në këtë ndarje njerëzit “i japin një hua të bukur Zoti” (yuqridullaha qardan hasanan),(15) duke rritur kështu burimet dhe pasurinë e përfshirë në proceset e zekatit. Kjo hap perspektiva për bashkëpunimin e shumanshëm të Zotit dhe njeriut në rrugët e së mirës dhe zekati është vetëm një nga mjetet e shumta të këtij bashkëpunimi që përmirëson mundësitë reale të jetës së njerëzimit.

ZEKATI SI “SADAKAT”

Në Kuran, zekati përmendet edhe sinonimisht me fjalën sadakat, me kuptimin e rreptë të dhënies së pasurisë për të mirë. Megjithatë, ndonjëherë kuptohet nga Kurani se sadakat nuk e arrin shkallën e detyrimit moral në të cilin ndodhet zekati. Kjo është pikërisht ajo që Ragib el Isfahani në Fjalorin e tij të Kuranit(16) ka thënë: “Sadaka është që një njeri ndanë nga pasuria e tij përafërsisht me zekatin, por sadakaja është në thelb ajo që jepet në baza vullnetare, ndërsa zekati është i bazuar në detyrë…”
Fjala kuranore sadakat është e gabuar të barazohet me fjalën sadaka, në kuptimin e thjesht lëmoshës që shprehet në dhënien e parave të imta lypsarëve në rrugë, rrugicë, shesh apo pragun e derës. Në kuadrin e tërësisë kuranore, sadakat konsiderohet dhe komunikohet në lidhje me fjalët që tregojnë “të vërtetën” ose “sinqeritetin”, “besimin e sinqertë në Zot” dhe më pas angazhimin e pasurisë së dikujt për të mirën e besimit. Janë të gjitha këto kuptime që i përmban rrënja kuranore s-d-q. Në këtë kuptim, sadakat janë zekati që jepen tërësisht, në të vërtetë, sinqerisht, nga bindje, pa mbajtur për vete asnjë pjesë të pasurisë që duhet t’u shpërndahet kategorive të përcaktuara të njerëzve.
Siç mund të shihet, fjala sadakat është sinonim i zekatit, si i tillë shpesh ndodh përmes Kuranit. Edhe pse fjala sadakat përmban gjithashtu idenë e lëmoshës (ose dhuratë “të rastësishme” dhe rastësore, të vogël për të varfrit dhe nevojtarët), sadakat nuk duhet të reduktohet në asnjë mënyrë vetëm në lëmoshë, në sadakanë tonë në kuptimin bisedor të fjalës.
Si përfundim, në kushtet tona, kur linja shtetërore, civile dhe laike, nga njëra anë, dhe fetare nga ana tjetër, është e demarkuar qartë, zekati më së miri i jepet Bashkësisë Islame, e cila i ka kapacitete të veta për ta mbledhur atë dhe nevoja të veta për ta shpenzuar. Kjo ndihmon në ruajtjen e trashëgimisë fetare, kulturore, qytetëruese, të Islamit dhe myslimanëve.

____________________
1. Mohammed Marmoduke Pickthall, The Meaning of the Glorious Koran, (published by the Penguin Group / A Mentor Book, New York, 1994).
2. Abdullah Yusuf Ali, The Holy Qur’an, (Wordsworth Classics of World Literature, London — Birmingham, 2000).
3. Seyyed Hossein Nasr (editor-in-chief), The Study Quran, (Harper Collins Publishers, New York, 2015).
4. Hartmut Bobzin, Der Koran, Neu abertragen, (C. H. Beck, Miinchen, 2010). 5. Max Henning, Der Koran, (Çagri Yayinlari, Istanbul, 1998).
6. Krhs. ar-Ragib al-Isfahani, Mufradatu l-Qur-an, (botimi i Daru l-fikr, Bejrut, 1972), 286.
7. Krhs. Azim Nanji, Almsgiving, (botuar nga Jane Dammen McAullife – redaktore, Encyclopaedia of the Qur’an, vol. 1, Leiden, 2001), 66.
8. Surja Lopa/el-Bakare, 2:284.
9. Surja Lopalel-Bakare, 2:3.
10. Muhamed/Muhammed, 8.
11. Krhs. Lopa el-Bakare, 2:177; Lopa el-Bakare, 2:188.
12. Krhs. Familja e Imrani Ali imran, 3:114.
13. Krhs. Lopalel-Bakare, 2:177.
14. Krhs. Ata që fryejnë edh-Dharijat, 51:19.
15. Lopa/ el-Bakare, 2: 245.
16. Krhs. ar-Ragib al-Isfahani MufradatulI-Qur’an (botimi i Daru l-fikh, Bejrut, 1972), 286.

Akademik Enes Kariq
Përktheu dhe përshtati nga gjuha boshnjake: Dr. Azmir Jusufi