Si pasojë e epidemisë Ebola që filloi në muajin korrik në pjesën lindore të Republikës Demokratike të Kongos deri më tani kanë humbur jetën 271 persona, 21 prej të cilëve në 5 ditët e fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Shëndetësisë e Republikës Demokratike të Kongos ka publikuar të dhëna në lidhje me epideminë Ebola e cila ka nisur në rajonin Beni dhe është përhapur në rajonin Ituri.
Sipas të dhënave të fundit që nga shfaqja e epidemisë e deri tani janë vërejtur 542 raste të etheve hemorragjike, ku nga këto, 494 persona janë diagnostikuar bartës të virusit Ebola.
Në pesë ditët e fundit kanë humbur jetën 21 persona, ndërsa numri i përgjithshëm i të vdekurve është rritur në 271.
Nga të diagnostikuarit 192 persona janë shëruar. Në mesin e 542 rasteve me ethe hemorragjike ndodhen edhe 48 raste të vdekjes të cilat nuk janë përcaktuar nëse kanë ardhur si pasojë e virusit Ebola.
Në kuadër të fushatës së nisur më 8 gusht në rajon deri më sot janë vaksinuar kundër virusit 48 mijë e 781 persona.
Ebola është shfaqur për herë të parë në Republikën Demokratike të Kongos në vitin 1976 dhe në dhjetor të vitit 2013 ajo u përhap në Afrikën Perëndimore. Në epideminë e vërejtur gjatë viteve 2014-2017 në Guine, Liberi dhe Sierra Leone u infektuan nga virusi Ebola rreth 30 mijë persona dhe më shumë se 11 mijë njerëz humbën jetën.


