Koreja e Jugut dhe Veriut drejt një ekipi të përbashkët olimpik

Komiteti Ndërkombëtar Olimpik (KNO) është duke analizuar nëse do të lejojë një ekip të përbashkët nga Koreja e Jugut dhe ajo e Veriut me të cilin do të paraqiten në Lojërat Olimpike Dimërore të cilat do të mbahen muajin e ardhshëm, raporton Anadolu Agency (AA).

Lajmi është konfirmuar nga përfaqësuesi i Phenianit në KNO, Chang Ung, i cili në një deklaratë për mediat në aeroportin e Pekinit tha se “KNO është duke e shqyrtuar këtë çështje”.

Chang refuzoi të komentojë nëse Koreja e Veriut është dakorduar për formimin e një ekipi të përbashkët të propozuar nga Koreja e Jugut, çështje kjo e shqyrtuar në takimin e së martës.

Dialogu i parë brenda-korean në dy vitet e fundit erdhi si rezultat i fjalimit të Vitit të Ri të liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un, në të cilin shprehi gatishmërinë dhe interesin e Phenianit për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike të cilat do të mbahen në Kore të Jugut dhe fillojnë më 9 shkurt.

Koreja e veriut bojkotoi Olimpiadën Dimërore e cila u mbajt në Seul në vitin 1988.

Të premten, zëvendës ministri i Koresë së Jugut për Sport, Roh Tae-kang, zbuloi se Koreja e Jugut ka propozuar një ekip të përbashkët në hokej për femra, pavarësisht zemërimit se një gjë e tillë do të dëmtojë sportistet e Jugut të cilat kanë shpenzuar kohë në fazën përgatitore.

Çështja e ekipeve të përziera do të diskutohet në takimet e ardhshëm në ditët në vijim, para një takimi i cili pritet të mbahet më 20 janar nën kryesimin e KNO-së.

Ministria për Bashkim e Koresë së Jugut njoftoi sot se Veriu ka ofruar mbajtjen e një takimi pune të hënën ku do të diskutohen çështjet lidhur me këtë problematikë.