Koreja e Veriut kritikoi sot Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, për thirrjen e tij për rifillimin e dialogut në Gadishullin Korean, duke e akuzuar se po mban anën e Koresë së Jugut në mes të tensioneve lidhur me një shpërthim të raportuar mine pranë kufirit ndërkorean, transmeton Anadolu.
Kim Yo Jong, zyrtare e lartë e Partisë së Punëtorëve në pushtet dhe motra e liderit koreano-verior Kim Jong Un, tha se Guterres kishte mbajtur “qëndrim të njëanshëm dhe të papërgjegjshëm”, sipas Agjencisë Qendrore Koreane të Lajmeve (KCNA), e cila është media shtetërore.
Ajo e akuzoi shefin e OKB-së se kishte përsëritur qëndrimin e Seulit lidhur me incidentin, pa u përpjekur më parë të përcaktonte faktet. Kim mbrojti ndërtimin e fortifikimeve ushtarake nga Pheniani përgjatë kufirit jugor, duke e cilësuar atë si ushtrim legjitim të së drejtës për vetëmbrojtje.
Sipas saj, Koreja e Jugut po pengon ndërtimin dhe po përpiqet t’ia atribuojë Koresë së Veriut përgjegjësinë për përshkallëzimin e tensioneve. “Nëse ai është sinqerisht i interesuar për uljen e tensioneve në Gadishullin Korean, Guterres duhet ta kuptojë incidentin dhe ta mbajë Seulin përgjegjës”, tha ajo.
Kim paralajmëroi se Guterres do të mbante përgjegjësi nëse veprimet ushtarake të Koresë së Jugut do të shkaktonin incident përgjatë kufirit. Mosmarrëveshja vjen pas shpërthimit të një mine më 21 shtator në Zonën e Çmilitarizuar, ku u plagosën tre ushtarë koreano-jugorë, dy prej tyre rëndë.
Seuli fajësoi Korenë e Veriut për minat e vendosura, duke iu referuar një hetimi të përbashkët me Komandën e OKB-së ndërsa Pheniani mohoi përgjegjësinë dhe akuzoi Korenë e Jugut për fabrikim të provave.





