Koreja e Veriut lëshon disa raketa lundrimi në Detin e Verdhë

Koreja e Veriut lëshoi të shtunën disa raketa lundrimi në Detin e Verdhë midis Kinës dhe Gadishullit Korean, tha shefi i përbashkët i shtabit të Koresë së Jugut (JCS), transmeton Anadolu.

Lansimet u zhvilluan rreth orës 4:00 të mëngjesit me kohën lokale, tha JCS-ja, por nuk dha më shumë detaje.

“Ushtria jonë ka forcuar mbikëqyrjen dhe vigjilencën ndërsa bashkëpunon ngushtë me Shtetet e Bashkuara”, tha JCS-ja në një deklaratë në Facebook.

Lansimet e fundit të raketave erdhën vetëm tri ditë pasi Koreja e Veriut lëshoi dy raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi në ujërat midis Gadishullit Korean dhe Japonisë.

Ministri i Mbrojtjes i Koresë së Veriut, Kang Sun Nam, paralajmëroi të enjten për një “sulm parandalues bërthamor” pas mbërritjes së një nëndetëse bërthamore amerikane në një port të Koresë së Jugut këtë javë gjatë takimit të parë të Grupit Konsultativ Bërthamor (NCG) midis Seulit dhe Washingtonit. Nëndetësja, megjithatë, u largua nga Koreja e Jugut të premten.