Kosova grumbullohet nesër, Challandes nuk e di ekipin që mund ta ketë në dispozicion

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll planifikon nga nesër të nisë grumbullimin për dy ndeshjet e radhës, fillimisht me Moldavinë me 3 shtator në Italia e pas tri dite me Greqinë në “Fadil Vokrri”, të dyja ndeshje këto në kuadër të Ligës së Kombeve, shkruan Zëri.info.

Megjithatë trajneri Berndard Challandes ka shumë dilema dhe nuk e ka të sigurt se çfarë lojtarë do të ketë në dispozicion.

Vendimi i FIFA-s që u mundëson klubeve të mos i lëshojnë lojtarët në grumbullim për ekipin kombëtar tek ato shtete që janë në listën e kuqe, ka bërë që shumë lojtarë të Kosovës që luajnë në Gjermani e Zvicër të jenë në telashe.

Tashmë Werder Bremeni ka konfirmuar se Milot Rashicës nuk i ka dhënë leje për t’ju bashkuar Kosovës. Në pikëpyetje mbetet edhe Leart Paqarada që luan te St Pauli, derisa telashe mund të ketë edhe për futbollistët që luajnë në Zvicër si Hekuran Kryeziu e Benjamin Kololli, shkruan zeri.info.

Challandes sikur e kishte ndje këtë pasi në listën rezervë ka futur Anel Rashkajn, Mirlind Kryeziun e Florian Loshajn dhe mbetet të shihet nëse këta do t’i bashkohen apo jo Kosovës.

FFK është duke kontaktuar me UEFA-n për të gjetur një zgjidhje por gjërat duken vërtet të komplikuara.