Kosova kërkon suksesin që i mungon gjatë

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll të enjten fillon cikël të ri kualifikues. Prej orës 19:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, “Dardanët” takohen me Irlandën. Kosova vlerësohet favorite, ndërsa fitorja do të ishte shumë e rëndësishme për vazhdim të garës në Grupin A të raundit të parë parakualifikues për Kupën e Botës 2027.

Kosova tashmë ka kompletuar disa cikle kualifikuese e parakualifikuese për Botëror dhe Evropian. Vetëm në një rast ishte e suksesshme, përkatësisht avancoi tutje në bazë të rezultateve të arritura.

Kosova për herë të parë në kualifikimet për Botëror u paraqit për ngjarjen globale të vitit 2019. Në parakualifikime ishte në Grupin C dhe avancoi tutje. Më 2 gusht të vitit 2017 kishte fituar 72:68 ndaj Maqedonisë. Më 9 gusht 2017 kishte pësuar 76:50 nga Estonia. Më 12 gusht kishte pësuar në Shkup nga Maqedonia me rezultatin 87:74 dhe më 19 gusht kishte fituar në Prishtinë ndaj Estonisë me rezultat 75:69. Grupin e kishte fituar Estonia me tri fitore e një humbje. Kosova ishte e dyta me dy fitore e dy humbje, ndërsa Maqedonia e treta me një fitore e tri humbje. Tutje kishin avancuar Estonia e Kosova.

Në raundin e parë të kualifikimeve të rregullta për Kupën e Botës 2019, Kosova ishte në grup me Lituaninë, Poloninë dhe Hungarinë. I kishte humbur të gjitha gjashtë ndeshjet, shumicën me rezultat të thellë.

Për Kupën e Botës 2023, Kosova në parakualifikime ishte në grup me Islandën, Sllovakinë e Luksemburgun. Ndeshjet u zhvilluan në vitin 2020 dhe 2021, ndërsa Kosova mbeti e fundit në grup me bilanc prej dy fitoreve e katër humbjeve. Kështu nuk mundi të avancojë tutje.

Tani është në raundin e parë të parakualifikimeve për Kupën e Botës 2027. Së bashku me Zvicrën është favorite e Grupit A, ku janë edhe Irlanda e Azerbajxhani. Tre fituesit e grupeve avancojnë në raundin e dytë. Avancon edhe përfaqësuesja më e mirë e vendit të dytë prej tri grupeve sa janë gjithsej.

Të dielën është ndeshja e dytë ndaj Azerbajxhanit në Baku. Dy ndeshje janë në nëntor e dy të tjera në shkurt të vitit të ardhshëm.

Kosova ka debutuar në gara ndërkombëtare, në kualifikimet për “Eurobasket 2017”. Ndeshjet ishin zhvilluar në gusht e shtator të vitit 2016. Përfaqësuesja që drejtohej nga Arben Krasniqi i kishte humbur të gjitha gjashtë ndeshjet në grupin e fortë me Slloveninë, Ukrainën e Bullgarinë. Ndeshja e parë ishte ndaj Sllovenisë në Lubjanë më 31 gusht 2016. Sllovenët kishin fituar 113:68.

Për “Eurobasket”, Kosova nuk ka pasur ende kampanjë të suksesshme, përkatësisht avancim tutje me rezultate të arritura. Për “Eurobasket 2022”, Kosova ishte në grup me Maqedoninë dhe Rumaninë. Ndeshjet u luajtën në vitet 2018 e 2019, ndërsa Kosova i humbi të gjitha katër sfidat. Si e fundit në grup kishte mundësi tjetër në raundin e tretë të parakualifikimeve, ku rivalët ishin më pak cilësorë. Humbi dy ndeshje ndaj Britanisë së Madhe dhe fitoi një me Luksemburgun. Mbeti e dyta në grup, pa ia dalë të kalojë në kualifikime të rregullta.

Për “Eurobasket 2025”, përfaqësuesja e Kosovës nisi në raundin e parë të parakualifikimeve. Me një fitore e tri humbje mbeti e fundit në grup me Danimarkën dhe Norvegjinë, që avancuan në raundin e dytë. Kosova si e treta, përkatësisht e fundit, vazhdoi në raundin e tretë parakualifikues, ku kishte mundësi të dytë. Në verën e vitit të kaluar, Kosova luajti në Grupin H dhe u rendit e dyta me dy fitore e dy humbje. I fitoi dy ndeshje me Zvicrën, ndërsa i humbi dy me Danimarkën. Danimarka e fitoi grupin dhe kaloi në kualifikimet e rregullta. Kosova dhe Zvicra nuk avancuan në kualifikimet e rregullta dhe tani paraqiten në raundin e parë të parakualifikimeve për Kupën e Botës 2027. Parakualifikimet ku paraqitet Kosova zhvillohen në kohë të njëjtë me kualifikimet e rregullta për “Eurobasket 2025”.

“Është ndeshja jonë e parë. Shpresojmë të fillojmë me fitore. Jemi duke u përgatitur maksimalisht për këto ndeshje dhe shpresoj të kemi paraqitje sa më të mirë”, ka thënë basketbollisti i Kosovës, Arian Qallaku.

Kosova nuk ka fond shumë të pasur të lojtarëve. Po ashtu përballet me mungesa të rëndësishme. Por megjithatë fitorja ndaj Irlandës mbetet synimi i vetëm.