Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka nënshkruar marrëveshje më Bankën Botërore për një gran prej 9.1 milionë eurosh për sistemin e ujitjes.
Sipas një njoftimi të Ministrisë, marrëveshja është nënshkruar të premten nga ministri i Financave, Hekuran Murati dhe drejtori i Bankës Botërore për Kosovë Massimiliano Paolucci.
Marrëveshja ka të bëjë me projektin “Përmirësimi dhe rehabilitimi i sistemeve të ujitjes”.
“Projekti synon rritjen e efiçiencës në shfrytëzimin e ujit dhe rritjen e rendimentit bujqësor në komunat e Gjakovës, Prizrenit dhe Rahovecit. Gjithashtu, synohet rehabilimi dhe modernizimi i Skemës së Ujitjes Radoniqi-Dukagjini, që renditet ndër investimet prioritare të identifikuara në Master Planin për sektorin e ujitjes në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Përfitues kryesor nga ky projekt thuhet se do të jenë fermerët privatë që shfrytëzojnë skemat e ujitjes/kullimit.
Nëpërmjet këtij projekti thuhet se do të ofrohen produkte me cilësi të lartë si për tregun e brendshëm, ashtu edhe për rajonin e Bashkimin Evropian.
“Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes, Ministri Murati dhe Drejtori Paolucci vlerësuan lartë bashkëpunimin e suksesshëm ndër vite, duke theksuar se investimet e tilla në sektorin e ujitjes pritet ta bëjnë sektorin bujqësor më konkurrues dhe inovativ, të bazuar teknologji e standarde moderne. Vlen të përmendet se fondet e këtij granti janë kontribut i Bashkimit Evropian, ndërsa administrohen nga Banka Botërore”, thuhet në njoftim.