Kosova voton, hapen me kohë qendrat më të mëdha të votimit

Hapen me kohë qendrat më të mëdha të votimit

Qendrat më të mëdha të votimit janë hapur me kohë në shumicën e komunave të Kosovës.

Qendrat e votimit janë hapur në ora 07:00 dhe do të mbyllen në ora 19:00.

Qytetarët e Kosovës sot do t’i drejtohen kutive të votimit për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre lokal, asamblistët dhe kryetarët e 38 komunave. Në këto zgjedhje janë 166 kandidatë për postin e kryetarëve të komunave, 152 meshkuj dhe 14 femra.

Numri i kandidatëve për kuvende komunale është 5,198, prej tyre 3,261 meshkuj dhe 1,937 femra.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar është 5,364.

Ndërkaq, lista përfundimtare e votuesve për Zgjedhjet Lokale 2021, e cila do të shpërndahet në vendvotime, në ditën e zgjedhjeve më 17 tetor, përmban 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën më 14 shkurt 2021.

Numri i qendrave të votimit në të gjithë Republikën e Kosovës është 883 me gjithsej 2 mijë e 477 vendvotime.

Voton kryetari i KQZ-së, bën thirrje për proces të qetë zgjedhor

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi ka votuar sot në orët e hershme të mëngjesit, me t’u hapur qendra e votimit në Pejë në shkollën fillore “Lidhja e Prizrenit”.

Radoniqi ftoi qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, ndërsa tha se qendrat e votimit do të jenë të hapura deri në 19:00.

“Unë dhe bashkëshortja ime e  shfrytëzuam të drejtën tonë për të votuar… Qendra e votimit është hapur dhe janë të hapura deri në ora 19:00. Ftoj qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën kushtetuese dhe të votojnë. Dua të bëj thirrje edhe partive politike edhe këshillave të vendvotimeve të kontribuojnë në mbarëvajtjen e ditës së zgjedhjeve”, tha Radoniqi.

Ai tha se janë të përgatitur që të dalin me rezultatet preliminare të zgjedhjeve në orët e vona.

“Jemi të përgatitur që të japim rezultatet preliminare deri në orët e vona, por nëse mbetet diçka atëherë nesër. Stafi do të punojë 24 orë”, tha ai.