Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e sotme, ka shpallur rezultate përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat janë mbajtur më 7 qershor.
Sipas rezultateve të procesuara në platformën e KQZ-së, LVV ka marrë 47.13% të votave, e pasuar nga PDK me 19.44% të votave, LDK me 16.69% dhe AAK me 6.74%.
Lëvizja Vetëvendosje del subjekti i parë me 53 ulëse në Kuvend.
Partia Demokratike e Kosovës do të ketë 22 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 18 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të përfaqësohet me 7 deputetë.
Nga subjektet e komuniteteve, Lista Serbe ka 9 ulëse, ndërsa Kosova Demokratik Türk Partisi – KDTP ka 2 ulëse. Me nga një ulëse pritet të përfaqësohen Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës – IRDK, Nova Demokratska Stranka, Partia Liberale Egjiptiane, Jedinstvena Goranska Partija, Za Slobodu Pravdu i Opstanak, Socialdemokratska Unija – SDU, Partia Rome e Bashkuar e Kosovës – PREBK, Koalicija Vakat dhe PSA.
Me këtë rast, KQZ-ja ka njoftuar subjektet politike dhe kandidatët se mund të paraqesin ankesat ndaj vendimit për shpalljen e rezultateve përfundimtare.
Ankesat, nëse ka, duhen paraqitur brenda 48 orëve në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.







