Krasniqi: LVV-ja ka vendosur ta mbajë peng shtetin

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se është “për keqardhje” që për herë të pestë ka dështuar seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, teksa për herë të tretë nuk është votuar kandidatja e propozuar për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Krasniqi ka thënë se “po rrëshqasim në një fazë që asnjëherë s’i ka ndodhur Republikës së Kosovës”.

“Lëvizja Vetëvendosje, së cilës i takon ta propozojë kryetarin e Kuvendit… ka vendosur ta mbajë peng shtetin, për shkak të tekeve të tyre, për një emër të përveçëm”, është shprehur ai.

“Nuk mund t’ua imponojnë emrin deputetëve të opozitës. Mentaliteti arbitrar i marrjes së votës me zor nuk ka vend në një sistem demokratik”, tha ai.

Krasniqi ka thënë se LVV-ja tashmë e di që “dy kandidatë nga grupi i tyre parlamentar i marrin votat e mjaftueshme” për kryetar të Kuvendit.

Por, sipas tij, synimi i LVV-së është bllokada e Kuvendit.

Ai ka thënë se partia e tij do ta votonte “një kandidate ose kandidat që nuk ka histori të përçarjes”.