Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kremlini: Prania e bazave ushtarake ruse në Siri u diskutua në bisedimet...

Kremlini: Prania e bazave ushtarake ruse në Siri u diskutua në bisedimet Putin–Sharaa në Moskë

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka bërë të ditur se prania e bazave ushtarake ruse në Siri u diskutua gjatë bisedimeve në Moskë mes presidentit rus, Vladimir Putin dhe atij sirian, Ahmed al-Sharaa, transmeton Anadolu.

I pyetur në një konferencë për media nëse është marrë ndonjë vendim lidhur me bazat ushtarake ruse në Siri, Peskov konfirmoi se çështja ishte trajtuar.

“Sa i përket bazave ushtarake ruse, kjo temë ishte në agjendën e bisedimeve”, tha Peskov.

Ai shtoi se diskutimet u përqendruan kryesisht në tregtinë dypalëshe dhe marrëdhëniet ekonomike, si dhe në zhvillimin e tyre të ardhshëm.

“Potenciali është mjaft i gjerë dhe interesi është i ndërsjellë”, theksoi ai.

Sipas zëdhënësit të Kremlinit, ekstradimi i ish-liderit sirian, Bashar al-Assad, nuk u ngrit gjatë takimit.

Më tej, ai foli edhe lidhur me raundin e ardhshëm të bisedimeve të paqes Rusi-Ukrainë, të planifikuar për më 1 shkurt në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe. Peskov nuk e përjashtoi mundësinë që negociatat të zgjasin më shumë se një ditë.

“Ndoshta dy ditë nëse është e nevojshme, po”, tha ai, duke shtuar se çështjet logjistike do të vazhdojnë të koordinohen deri të dielën.

Ai theksoi se “do të bëhet gjithçka për të siguruar që dialogu të mund të vazhdojë”.

I pyetur për raportet në media që pretendojnë për një armëpushim të supozuar energjetik me Kievin apo negociata mbi këtë çështje, Peskov refuzoi të komentojë, duke thënë: “Jo, nuk mund të komentoj ende për këtë”.

Sa i përket pjesëmarrjes së mundshme të Gjermanisë si ndërmjetëse në bisedimet Rusi-Ukrainë, Peskov tha se Berlini as nuk ka treguar dhe as nuk po tregon interes për të marrë një rol të tillë.

Duke komentuar kërcënimet e SHBA-së ndaj Iranit, Peskov tha se opsioni i negociatave mbetet i hapur dhe paralajmëroi se veprimi ushtarak do ta destabilizonte rajonin.

“Çdo veprim me forcë mund të krijojë vetëm kaos në rajon dhe të çojë në pasoja shumë të rrezikshme për sa i përket destabilizimit të sistemeve të sigurisë në të gjithë rajonin”, theksoi ai.

Duke folur për të ardhmen e Traktatit për Armët Ofensive Strategjike, i njohur si Traktati New START, Peskov tha se hartimi i një dokumenti të ri do të ishte i gjatë dhe më kompleks sesa zgjatja e atij ekzistues për shkak të “shumë faktorëve.”

Ai shtoi se Rusia ende është në pritje të një përgjigjeje nga SHBA-ja lidhur me propozimet e saj për traktatin dhe se nuk ka marrë asnjë reagim nga Washingtoni. Rusia më herët propozoi zgjatjen e traktatit për një vit.

Peskov gjithashtu paralajmëroi se një refuzim i SHBA-së për të zgjatur Traktatin New START do të krijonte një vakum ligjor në stabilitetin strategjik, gjë që do të dëmtonte interesat e sigurisë globale.

Traktati New START, i nënshkruar në vitin 2010 dhe në fuqi që nga shkurti i vitit 2011, pritet të skadojë më 4 shkurt.