Reagimet ndaj njohjes së Presidentit rus Vladimir Putin të të ashtuquajturave administratave të separatistëve prorusë në Ukrainën lindore ishin të shpejta.
Reagimet ndaj njohjes së Presidentit rus Vladimir Putin të të ashtuquajturave administratave të separatistëve prorusë në Ukrainën lindore ishin të shpejta.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se “Rusia po kërkon një justifikim për të pushtuar Ukrainën”, duke shtuar se Aleanca dënon vendimin e Rusisë.
Stoltenberg kujtoi se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, përfshirë Rusinë, konfirmoi sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Ukrainës në vitin 2015.
“Donjecku dhe Luhansku janë pjesë e Ukrainës. Moska po nxit konfliktin në Ukrainën lindore duke ofruar mbështetje financiare dhe ushtarake për separatistët. Rusia po përpiqet edhe një herë të nxjerrë justifikime për pushtimin e Ukrainës”, deklaroi Stoltenberg.
Kryetarja e Komisionit të Bashkimit Evropian (BE), Ursula von der Leyen, Kryetari i Këshillit të BE-së, Charles Michel, Kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell me postime të njëkohshme të bëra në llogaritë e tyre në rrjetet sociale, reaguan ndaj vendimit të Rusisë për të njohur të ashtuquajturat Republika Popullore të Donjeckut dhe Luhanskut.
Në mesazhin e përbashkët thuhej: “Njohja e dy rajoneve separatiste në Ukrainë është një shkelje e qartë e ligjit ndërkombëtar, integritetit territorial të Ukrainës dhe marrëveshjeve të Minskut. BE-ja dhe partnerët e saj do të reagojnë me unitet dhe vendosmëri në solidaritet me Ukrainën”.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB) Antonio Guterres tha se ishte thellësisht i shqetësuar nga vendimi i Federatës Ruse për statusin e rajoneve Donjeck dhe Luhansk të Ukrainës, i cili nuk është në përputhje me parimet e Kartës së OKB-së.
Shtetet e Bashkuara ndërmorën një hap konkret, duke deklaruar se do të ndalohej tregtia me rajonet e njohura nga Rusia, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.
“Presidenti Joe Biden do të nënshkruajë një dekret që ndalon tregtinë dhe investimet në këto rajone”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, duke sinjalizuar sanksione shtesë.
Shtëpia e Bardhë lëshoi gjithashtu një deklaratë me shkrim në lidhje me bisedën telefonike të Biden me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Gjatë takimit, i cili u fokusua në vendimin e Rusisë për të njohur të ashtuquajturat administrata të separatistëve në Donbas dhe hapat që do të ndërmerren më pas, Biden shprehu dënimin e fortë për vendimin e Putinit.
Biden informoi Zelensky për përgjigjen “e fortë” të Rusisë ndaj një pushtimi të Ukrainës me sanksione dhe shprehu mbështetjen e tij të plotë për administratën e Kievit.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha në një deklaratë me shkrim se dënon me forcë vendimin e Presidentit Putin për të njohur të ashtuquajturat Republika Popullore e Donjeckut dhe Republika Popullore e Luhanskut.
Kryeministri britanik Boris Johnson njoftoi se “vendimi i Putinit është një shkelje e qartë e ligjit ndërkombëtar” dhe njoftoi sanksione kundër Moskës, ndërsa homologu i tij gjerman Olaf Scholz dënoi lëvizjen e Rusisë.
Franca thirri një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se Presidenti rus Putin shkeli angazhimet ndërkombëtare me vendimin e tij dhe kërkoi që Evropa të marrë një vendim për sanksione ndaj këtij vendi.
Ministri i Jashtëm italian Luigi Di Maio tha gjithashtu: “Vendimi i autoriteteve ruse për të njohur të ashtuquajturat republika separatiste të Luhanskut dhe Donjeckut duhet të dënohet pasi shkel marrëveshjet e Minskut dhe përbën një pengesë serioze për kërkimin e një zgjidhjeje diplomatike.”
Kryeministri japoneze Kishida Fumio gjithashtu dënoi ashpër vendimin e Putinit për të njohur zyrtarisht qeveritë separatiste në Ukrainën lindore.
“Vendimi i Rusisë për të njohur të ashtuquajturat Republika Popullore e Donjeckut dhe Republika Popullore e Luhanskut shkel ligjin ndërkombëtar me Marrëveshjen e Paqes së Minskut”, tha Fumio në një konferencë shtypi.
“Veprimet e Rusisë cenojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës”, shtoi ai.
“Nëse ndodh një pushtim, Japonia do të monitorojë vazhdimisht kursin dhe do të punojë ngushtë me vendet e G7-ës dhe shoqërinë ndërkombëtare për t’iu përgjigjur ashpër, përfshirë vendosjen e sanksioneve,” tha Fumio.
Ndërkaq ministri i Jashtëm japonez Haifai Yoshimasa tha në një konferencë për shtyp se ai dënoi vendimin e Rusisë për të njohur të ashtuquajturat Republika Popullore e Donjeckut dhe Republika Popullore e Luhanskut, duke thënë se ishte një “shkelje e sovranitetit të Ukrainës dhe ligjit ndërkombëtar”.
Ndaj Putinit reagoi edhe Kryeministri australian Scott Morrison.
“Rusia duhet të tërhiqet pa kushte pas kufijve dhe të ndalojë së kërcënuari fqinjët e saj”, tha Morrison. /trt








