Kreu i BASF: Gjermania mund të përballet me krizën më të keqe ekonomike që nga Lufta e Dytë Botërore

Martin Brudermüller

Kreu i gjigantit kimik gjerman “BASF” ka paralajmëruar se Gjermania mund të përballet me një krizë ekonomike të paprecedentë nëse i jep fund tërësisht tregtisë me Rusinë ose ndalon importin e gazit dhe naftës ruse.

“Kjo mund ta çojë ekonominë gjermane në krizën e saj më të keqe që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore”, tha Martin Brudermüller për “Frankfurter Allgemeine Zeitung “.

Sipas parashikimeve të Brudermüller, shumë biznese të vogla dhe të mesme në veçanti mund të mos mbijetojnë.

Kreu i “BASF” hodhi poshtë thirrjet për një bojkot evropian të furnizimeve ruse të energjisë.

“A duam të shkatërrojmë të gjithë ekonominë tonë me sy hapur? Ajo që kemi ndërtuar për dekada me rradhë? Mendoj se një eksperiment i tillë do të ishte i papërgjegjshëm”, tha Brudermüller, duke shtuar se pak persona në Gjermani duket se e kuptojnë sesa të rënda janë pasojat e një vendimi të tillë.

“Një moratorium i plotë për blerjen e gazit natyror rus do të ishte i mundur për Gjermaninë në një periudhë afatmesme”, tha ai.

“Nëse nxitojmë, ne mund ta realizojmë këtë brenda katër-pesë viteve,” tha Brudermüller, duke argumentuar se importet e energjisë alternative, si gazi natyror i lëngshëm (LNG) nga SHBA-ja nuk mund të rriten thjesht “me shtypjen e një butoni”. /atsh