Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e përshkroi vendimin e presidentit rus, Vladimir Putin për të dërguar një delegacion të nivelit të ulët në bisedimet e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës të organizuara nga Turqia si “gabim”, raporton Anadolu.
Rutte bëri një deklaratë për media në hyrje të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EST) që u mbajt në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë. I pyetur në lidhje me bisedimet e paqes në Stamboll, Rutte tha: “Putin bëri një gabim duke dërguar një delegacion të nivelit të ulët në Stamboll”.
“Topi është në fushën e tij. Ai duhet ta luajë topin. Ai duhet ta marrë seriozisht dëshirën për paqe. Kështu që mendoj se i gjithë presioni tani është mbi Putinin”, tha Rutte.
Kreu i NATO-s deklaroi se vetë udhëheqësi rus ishte në dijeni të kësaj situate. “Putini e di shumë mirë se topi është në fushën e tij, se është në telashe dhe se bëri një gabim të madh duke dërguar këtë delegacion të nivelit të ulët”, tha ai.
Rutte e përshkroi praninë e Ukrainës në tryezë si “shumë të mirë” dhe tha se “Ajo dërgoi një delegacion që është vërtet i gatshëm të negociojë një armëpushim”.
Duke shprehur kënaqësinë e tij me rolin e luajtur nga SHBA-ja, Rutte tha: “Është shumë e rëndësishme dhe jashtëzakonisht e dobishme që presidenti Donald Trump e ka nxjerrë (luftën) nga bllokimi dhe ka marrë qartësisht drejtimin në të gjithë këtë”.