Kritere të reja për të marrë vizë pune në Mbretërinë e Bashkuar

Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar rregulloren e re për emigrantët që kërkojnë të marrin viza pune.

Pas hyrjes në fuqi të Brexit, qeveria ka miratuar rregullat e reja të cilat i trajtojnë emigrantët nga Bashkimi Europian njësoj si ata nga vende të tjera. Sistemi i ri ka në themel të tij qasjen e marrjes të sa më shumë emigrantëve të specializuar dhe bllokimin e atyre që kanë aftësi të nivelit të ulët dhe nuk flasin gjuhën angleze.

Skema e re funksionon me pikë. Për të marrë një vizë pune një emigranti do ti duhen 70 pikë.

Njohja e gjuhës angleze vlen 10 pikë ndërsa një ofertë pune e aprovuar 20 pikë. Nëse kjo punë i përshtatet nivelit të kualifikimit atëherë kjo vlen edhe 20 pikë të tjera. Kualifikimet shtesë, vlera e pagës dhe puna në një sektor ku ka mungesa në punonjës janë kategoritë ku mund të sigurohen pjesa tjetër e pikëve për të plotësuar 70.

Paketa e re e propozuar nga qeveria synon të ulë emigracionin në Mbretërinë e Bashkuar, kryesisht atë të personave jo të kualifikuar. /Opinion.al