Kriza për Libanin, Tillerson: Mos nxisni konflikte

Sekretari amerikan i shtetit paralajmëroi vendet e tjera të mos e përdorin Libanin për të nxitur konflikte, pas krizës që pasoi dorëheqjen e kryeministrit të vendit Saad Hariri.

Irani dhe aleati i tij libanez, grupi militant shiit Hezbollah, pretendojnë se Arabia Saudite e arrestoi Haririn dhe e detyroi të dorëhiqej.

Kryediplomati amerikan tha se ishte siguruar se ish kryeministri ishte i lirë. Ky i fundit dha dorëheqjen një javë më parë, ndërsa gjendej në kryeqytetin saudit, Rijad.

“Në Liban nuk ka vend apo rol legjitim për forca të huaja, milici apo elementë të armatosur, përveçse forcat e ligjshme të sigurisë, të shtetit libanez. Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm sovranitetin dhe pavarësinë e republikës së Libanit”, tha Rex Tillerson.

Sekretari amerikan i shtetit inkurajoi kryeministrin të rikthehej në Liban e të sqaronte situatën, duke shprehur shqetësimet për destabilizimin e koalicionit të brishtë në vend. U deshën 6 ditë që Tillerson të reagonte lidhur me krizën, e kjo ka nxitur kritikat për mungesën e një strategjie amerikane në rajon.

Nën urdhrat e princit të kurorës në Arabinë Saudite, Muamed Bin Salman, një organizëm i ri anti-korrupsion, arrestoi 11 princa javën e kaluar, 4 ministra në detyrë dhe dhjetëra ish ministra.

Presidenti Donald Trump tha të hënën se kishte besim të madh tek mbreti Salman dhe trashëgimtari i kurorës, por në kontraditë me të, Tillerson tha se zhvillimet në Rijad ngjallnin shqetësime.tch