Kroacia ndëshkon tregtarët abuzues

Gjoba deri në 26 mijë Euro për tregtarët që rrisin çmimet në Kroaci

Qeveria kroate ka vendosur për të ndëshkuar ata tregtarë që në mënyrë të pajustifikueshme i kanë rritur çmimet gjatë konvertimit në Euro. Kjo situatë ka ulur fuqinë blerëse të qytetarëve duke i shkaktuar dëme ekonomisë kroate dhe rritur inflacionin.

Shërbimet kompetente do të forcojnë kontrollin e çmimeve. Qeveria kroate u bëri thirrje qytetarëve që të raportojnë ata tregtare që nuk respektojnë vendimin e qeverisë për kthimin e çmimeve në nivelin e para 31 dhjetorit.

Përveç gjobave që variojnë nga 1 mijë deri në 26 mijë Euro, kryeministri kroat paralajmëroi edhe mundësinë e anulimit të subvencioneve për prodhuesit e energjisë.

Rritja mesatare e çmimeve në dyqane është deri në 13 për qind. Rritja më e madhe u vu re në aktivitetet e shërbimeve, e ndjekur nga tregtia me pakicë, veçanërisht prodhimet e bukës, të cilat u rritën me 15 për qind, por në disa vende u vu re rritje e çmimeve deri në 30 për qind.

Në dyqane më shumë se 70 për qind e subjekteve kanë kthyer çmimet para futjes së euros. Në shërbimet e parukerisë dhe kujdesit të trupit çmimet janë rritur mesatarisht 20 për qind, e në disa raste edhe 50 për qind.

Në Kroaci, nga 1 janari, monedha zyrtare është euro dhe kuna mund të përdoret deri këtë të dielë, më 15 Janar.