Kronologji mbi Kudsin – Jerusalemin

Kudusi, historiku dhe peripetit e saja!

Kudusi, është një çështje shumë e djeshme dhe shumë delikate për mbarë komunitetin mysliman. Ajo është e një rëndësie të veçantë ngase përveç historikut të saj të lashtë që na ndërlidhë me vetë prejardhjen tonë, ajo një rëndësi të pakontestueshme ka edhe në vetë ndërlidhjen e saj me besimin tonë islam.

Kudusi, historiku i ndërtimit të saj!

Historiku i ndërtimit të xhamisë Al-Aksa është shumë i vjetër. Thuhet se është ndërtuar nga engjujt, disa thonë nga Ademi a.s, të tjerat potencojnë se ajo është ndërtuar nga njëri prej bijve të Ademit a.s. Por, ajo që dihet saktësisht, sipas transmetimit të cilin e potencon Imam Buhariu nga transmetimi i Ebu Dherrit r.a është se ndërtimi i xhamis Al-Aksa ka ndodhur dyzetë vite pas ndërtimit të Qabesë.

Pas ndërtimit të tij të parë, xhamia Al-Aksa ishte rindërtuar apo rimëkëmbur nga ana e Ibrahimit a.s, e pas tij e kishte rindërtuar Sulejmani a.s.

Pas vdekjes së Sulejmanit a.s, xhamia Al-Aksa për herë të parë ishte shkatërruar nga Asirian Sargoni në vitin 721 p.k.

Më pas në vitin 608 ajo ishte shkatërruar nga Faraoni i Egjiptit.

Ndërsa në vitin 587 ajo ishte shkatërruar nga Nebukadnetsari.

Gjithashtu në vazhdim ishte shkatërruar nga babilionët të cilët kishin pushtuar dhe shkatërruar Palestinën e së bashku me të edhe xhamin Al-Aksa.

Pas këtij shkatërrimi ajo ishte rindërtuar nga persianët dhe më pas nga romakët por që në vitin 70 një mbret i romakëve i quajtur Titus kishte urdhëruar që të digjej i tërë qyteti e së bashku me të ishte shkatërruar edhe xhamia Al-Aksa.

Po ashtu në vitin 135, Adrianos, një tiran i përbetuar kishte urdhëruar që të shkatërrohej çdo gjë që kishe mbetur nga Al-Aksa dhe në vend të tij të ndërtohej një faltore idhujsh të cilën ai e kishte quajtur Jupiter.

Pas kësaj kishte ndodhur pushtimi i Kudusit nga ana e krishterëve dhe kjo faltore ishte shkatërruar tërësisht duke e lënë kështu vendin pa asnjë vendadhurimi derisa nuk kishte ndodhur Israja dhe Miraxhi.

Peripetit dhe sfidat e Kudusit në periudhën bashkëkohore!

Më herët kemi potencuar dhe kemi treguar se Kudusi ka një histori mjaftë të lashtë dhe mjaftë heterogjene ngase aty është bërë gërshetimi i shumë kulturave dhe shumë feve. Ajo ishte pikëvendosje dhe vendthirrje e shumë prej Profetëve andaj është shumë normale që të ketë edhe pretendime, spekulimi dhe përpjekje të ndryshme për të zotëruar këtë vend. Një gjë e tillë ka filluar qysh herët por ne do të ndalemi dhe të cekim shkurtimisht disa prej konflikteve që kanë ndodhur shekullin e fundit, konkretisht që nga pretendimi i themelimit të shtetit sionist.

  • Dalja publike e Organizatës Botërore Sioniste

– Me 29.08.1897 në Bazel të Zvicrës ishte mbajtur një kongres i madh me prezencën e 204 anëtarëve të cilët përfaqësonin 15 shtete. Ky kongres i çifutëve kishte përzgjedhur si udhëheqës Theodor Herzl dhe nga ky kongres ishte shpallur dhe ishte bërë publike themelimi i Organizatës Botërore të Sionistëve. E që kjo organizatë kishte qëllim kryesorë që të kthejë sionistët në tokën e tyre të premtuar dhe të formonte shtetin e tyre sionist. Platforma e Hertzelit bazohej në atë që shteti nuk do ndërtohej mbi bazat fetare por mbi bazat etnike dhe ato laike. Ky shtet do themelohej duke bërë blerjen e tokave, duke bërë shpërnguljen e sionistëve dhe çifutëve, të blinin ndërgjegjen e prijësve dhe liderëve shtetërorë në mënyrë që të përkrahnin një gjë të tillë.

  • Themelimi i shtetit kombëtarë dhe laik të çifutëve

Në Nëntor të vitit 1917, Arthur Balfour kishte dërguar një deklaratë tek Lord Walter Rothschild i Britanisë së Madhe nga i cili kërkonte mbështetje për themelimin e shtetit sionist . Shtet ky që do jetë i ngritur mbi bazën kombëtare dhe laike dhe assesi mbi bazën fetare. Kjo do të mund të llogaritej edhe si hapi i parë praktik i Kongresit të Bazelit por po ashtu çdo gjë që ndodh dhe ka ndodhur deri tani në Kudus nga ana e sionistëve llogaritet si një zbatim praktik i asaj që është arritur në atë kongres edhe përkundër faktit që kanë kaluar 120 vite.

  • Ndarja e tokës Palestineze

Në vitin 1947 kishte ardhur deri tek ndarja e tokës Palestineze dhe si hap i tillë ishte një hyrje drejt realizimit të themelimit dhe ngritjes së shtetit çifut që vije pas një viti, pra gjegjësisht në vitin 1948. Në këtë vit qyteti i Kudusit ishte ndarë në dy pjesë. Në pjesën perëndimore që ishte shpallur edhe si kryeqytet i shtetit të Izraelit dhe pjesës lindore që i takonte Jordanisë. Kjo ndarje njëkohësisht ishte edhe fillimi i një beteje të papërfunduar në mes të arabëve dhe sionistëve.

  • Pushtimi i Kudusit

Në vitin 1967 kishte ndodhur pushtimi i Kudusit, i rripit perëndimor dhe rripit të Gazës. Një gjë e tillë kishte ndodhur në Qershor të vitit 1967. Ky vit ishte edhe viti i hapjes së dyerve të shpërnguljes masive të sionistëve dhe çifutëve drejt tokës së premtuar dhe që nga ky vit Kudusi më nuk kishte kaluar ditë qetësie por çdoherë ishte në betejë dhe në konflikt të përgjakur.

Kudusi, në vetëdijesimin e myslimanëve!

Kudusi, dhe më konkretisht xhami e Aksas, janë të ndërlidhura ngushtë me vetëdijesimin e myslimanëve. Kjo ndërlidhje kyçe arrihet përmes disa pikave kryesore siç janë:

– Kudusi është Kibleja e parë; Gjëja e parë që myslimanëve u vije ndërmend posa të përmendet Kudusi, padyshim se është xhamia Al-Aksa dhe kjo për vetë faktin se ishte Kibleja e parë e besimtarëve. Muhamedi s.a.v.s së bashku me shokët e tij vazhdimisht drejtoheshin drejt xhamis Al-Aksa përgjatë namazit të tyre, që nga obligimi i namazit në natën e Isras dhe Miraxhit në vitin e dhjetë të shpalljes së Islamit e deri gjashtëmbëdhjetë muaj pas shpërnguljes së Muhamedit s.a.v.s për në Medine. Pra, ata ishin falur në këtë drejtim për më shumë se katër vite të plota derisa nuk zbriti fjala e Allahut xh.sh ku thotë ‘’Dhe kahdo që të dalësh, ktheje fytyrën tënde kah ana e xhamisë së shenjtë (Qabja) dhe kudo që të gjendeni ktheni fytyrat tuaja kah ana e saj’’2:150.

Kudusi, vendi i Isras dhe Miraxhit; Gjëja e dytë që myslimanëve u vije ndërmend kur potencohet emri i Kudusit apo xhamis Al-Aksa është çështja e lidhshmërisë së saj me Isran dhe Miraxhin. Pra, xhamia Al-Aksa ishte fundi i udhëtimit tokësorë dhe fillimi i udhëtimit qiellor që bëri Profeti s.a.v.s në natën në të cilën iu obligua një prej shtyllave kryesore të Islamit. Prandaj, besimtari çdoherë kur fal namaz do duhej që të rikujtojë dhe të risjell në mendjen e tij edhe historikun e obligimit të kësaj shtylle të Islamit. E tërë kjo nuk kishte ndodhur rastësisht por ishte e ndërlidhur me urtësinë dhe parapërcaktimet Hyjnore për t’ia dëshmuar mbarë njerëzimit se kishte ardhur koha që udhëheqja e botës të kalonte tek Profeti Muhamed, tek pasuesit e tij dhe që e tërë kjo të arrihej përmes të gjykuarit me Librin Hyjnorë që i ishte shpallur këtij Profeti të ri. Një gjë e tillë mund të kuptohet edhe nga vetë udhëheqja e Muhamedit s.a.v.s që kishte bërë në namazin e falur së bashku me mbarë profetët që ishin paraardhës të tij edhe përkundër moshës dhe pozitave që kishin tek Allahu xh.sh.

– Kudusi, një nga tri vendet madhështore; Kudusi është një nga tri qytetet madhështore të Islamit, ajo radhitet pas qytetit të shenjtë të Mekës dhe Medinës. Këto qytete janë madhështore për shkak se kanë pas privilegjin që në gjirin e tyre të kenë vendet më të shenjta dhe më të rëndësishme për myslimanët. Qyteti i parë, pra Mekeja kishte fatin që të nderohej nga Allahu xh.sh me ndërtimin e Qabesë së shenjtë që është kibleja e mbarë myslimanëve por po ashtu ajo u nderua edhe me vendlindjen e Profetit s.a.v.s. Qyteti i dytë, Medineja kishte fatin që të nderohej xhaminë e Profetit s.a.v.s por edhe me varrin e Profetit s.a.v.s. E ndërsa qyteti i tretë, Kudusi kishte fatin që të nderohej me xhamin Al-Aksa që ishte kibleja e parë por po ashtu është prej vendeve që është begatuar nga Allahu xh.sh dhe si e tillë është e cekur edhe në Kuran.

Islami, jo rastësisht e ka radhitur këtë qytet si një prej qyteteve apo vendeve më të rëndësishme në Islam pasi që me këtë radhitje është vënë një prej parimeve kryesore të Islamit e që ka të bëjë me atë se Islami ka ardhur për të rimëkëmbur dhe assesi për të shkatërruar dhe për të plotësuar jo për të neutralizuar. Pra, Islami ka ardhur për të rimëkëmbur atë që e kanë filluar të dërguarit që ishin para Muhamedit s.a.v.s dhe assesi për të shkatërruar atë që ata e kishin ngritur. Ai ka ardhur për të plotësuar thirrjen e filluar nga profetët dhe assesi për të neutralizuar atë që ata e kishin bërë me shekuj me radhë.

– Kudusi, vendi i profetëve dhe begative; Kudusi është zemra e Palestinës dhe si e tillë ajo është përshkruar si ‘’tokë e begatë’’ në pesë vende në Kuran[1]. Po ashtu Kudusi është prej vende të shumicës së Profetëve dhe të Dërguarve të Allahut xh.sh.

Andaj, besimtarët nuk guxojnë assesi që të nënvlerësojnë këtë vend dhe nuk guxojnë assesi që këtë vend ta lënë në harresën e tyre ngase është prej tri vendeve për të cilat Profeti s.a.v.s ka urdhëruar që të bëhet përpjekje e vazhdueshme për të shkuar dhe për të u falur në të. Po ashtu, Profeti s.a.v.s në një prej transmetimeve të tija tregon se nga pasuesit e tij do të jenë një grup prej besimtarëve që do jenë vazhdimisht të kapur për të vërtetën dhe me të vërtetën. E kur u pyet Profeti s.a.v.s se ku do të jenë këta, ai tha: ‘’Në Bejt el-Makdis dhe rrethinën e Bejt el-Makdis’’[2].

Përmbyllje

Kudusi është një vend që synohet nga të tri fetë qiellore dhe që zë një vend mjaft të rëndësishëm në besimin e të tria feve qiellore andaj si i tillë ai do të jetë pikësynim dhe fushëbeteje e përhershme. Ajo që neve na takon, si mysliman, është ngjallja e ndjenjës dhe përgjegjësisë drejt këtij vendi të shenjtë duke mos e harruar thënien e Profetit s.a.v.s se ne jemi më prioritarë dhe më parësorë që ta kemi udhëheqjen e këtij vendi ngase komuniteti mysliman është përmbyllje dhe vulë e të gjitha shpalljeve qiellore. E një gjë e tillë nuk do mund të arrihet nëse çdonjëri prej nesh nuk e ndjen në zemrën e tij ndjenjën e të qenit një Salahudin Ejup dhe një Abdulhamid brenda kornizës së mundësive dhe fuqisë së tij./MESAZHI/

Punuar nga Dr. Artan Musliu

 

[1] Shih; Kaptinën el-Isra’:1- Ku Allahu xh.sh flet për Isran dhe Miraxhin, Kaptinën el-Enbija:71- Ku Allahu xh.sh flet për ndodhin e Ibrahimit a.s, Kaptinën el-A’raf:137- Ku Allahu xh.sh flet për ndodhin e Musait a.s, Kaptinën el-Enbija:81- Ku Allahu xh.sh flet për Sulejmanin a.s, dhe Kaptinën Sebe’:18- Ku Allahu xh.sh flet për ata të cilëve Allahu u kishte dhënë begati të shumta.

[2] Këtë transmetim e shënon Taberaniu 7/288 dhe transmetuesit e tij janë të besueshëm. Po ashtu ky transmetim shënohet edhe nga të tjerë përveç Taberaniut.