Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Muçunski, në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih, ka zhvilluar takim me Gunther Krichbaum, ministër shteti për Evropën në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, transmeton Anadolu.
Sipas një njoftimi të ministrisë së jashmte, në fokus të bisedimeve ishin çështjet aktuale që lidhen me integrimin evropian dhe përparimin e vendit në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Muçunski ka riafirmuar përcaktimin strategjik për anëtarësim në BE, duke theksuar përkushtimin ndaj zbatimit të reformave, avancimit të bashkëpunimit rajonal, marrëdhënieve të mira fqinjësore, si dhe kontributit për stabilitetin dhe paqen në rajon.
Bashkëbiseduesit kanë konfirmuar marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe ndërmjet dy vendeve dhe kanë shprehur gatishmërinë për t’i thelluar më tej ato, me theks të veçantë në forcimin e bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik.



