Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese e quajti sot “të neveritshëm” transmetimin e drejtpërdrejtë të propozuar të një ekzekutimi nga një skuadër pushkatimi në SHBA, transmeton Anadolu.
Ai tha për Korporatën Australiane të Transmetimeve (ABC) se kushdo që e transmeton atë do të dëmtojë reputacionin e tyre dhe se qeveria e tij do të bëjë çmos për të parandaluar që australianët ta shohin atë.
“Këto gjëra nuk janë aq të thjeshta sa fikja e një çelësi drite dhe ne do të bëjmë atë që mundemi për ta mbyllur atë”, tha Albanese.
“Kam një pikëpamje shumë të fortë personale që vjen nga bindjet e mia. E shoh të neveritshme që dikush të dojë të shikojë diçka të tillë”, shtoi ai.
Komentet e kryeministrit Albanese erdhën pasi sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth tha javën e kaluar se Nidal Hasan, i cili u dënua me vdekje për vrasjen e 13 personave dhe plagosjen e 32 të tjerëve në Fort Hood të Teksasit në vitin 2009, do të ekzekutohet nga një skuadër pushkatimi më 3 dhjetor në të njëjtën bazë ushtarake.
Hasan, një ish-psikiatër i ushtrisë, u dënua në vitin 2013 për 13 akuza për vrasje me paramendim dhe 32 akuza për tentativë vrasjeje dhe që atëherë mbahet në Fort Leavenworth, Kansas.
Pentagoni njoftoi të hënën se presidenti Donald Trump e ka miratuar rekomandimin.






