Kryeministri i Belgjikës, Bart De Wever në një fjalim të enjten para parlamentit bëri thirrje për një Evropë më të fortë dhe më të bashkuar pas tensioneve të fundit mbi Grenlandën dhe qëndrimin e SHBA-së ndaj aleatëve të saj, transmeton Anadolu.
“Shtetet e Bashkuara janë më të fortat, por dinjiteti ynë nuk është në shitje. Ne nuk jemi skllevër”, tha ai.
Duke folur para një takimi të liderëve të BE-së në Bruksel, De Wever tha se zhvillimet e fundit nxorën në pah dobësitë strategjike të Evropës dhe urgjencën e forcimit të autonomisë së saj, raportoi transmetuesi publik RTBF.
Ai i bëri këto komente pasi mori pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, ku presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi se ishte arritur një kornizë për marrëveshje të mundshme që përfshinte Grenlandën dhe rajonin e Arktikut më të gjerë.
Ai tha se Evropa kishte shmangur për pak “një katastrofë të vërtetë”, duke shtuar se episodi duhet të shërbejë si një thirrje zgjimi.
“Ne evropianët duhet të jemi të përgatitur të përballojmë stuhitë dhe të qëndrojmë vetëm”, tha De Wever duke bërë thirrje për përparim më të shpejtë në bashkëpunimin e mbrojtjes, integrimin e tregjeve të kapitalit dhe mekanizmat e bashkëpunimit të zgjeruar brenda BE-së.
“Edhe nëse nuk është për nesër, ne duhet të përshpejtojmë”, shtoi ai.
Udhëheqësit e BE-së u takuan në Bruksel për të diskutuar mbi zhvillimet me Washingtonin pas tensioneve nga interesi i Trumpit për Grenlandën për shkak të pozicionit të saj strategjik në Arktik, burimeve të bollshme minerale dhe shqetësimeve në rritje rreth ndikimit rus dhe kinez në rajon.
Veçmas, duke folur për RTBF-në, ministri i Jashtëm belg Maxime Prevot tha se dominimi global i SHBA-së përputhet me dobësinë strategjike të Evropës.
Ai tha se vendosja e trupave evropiane në Grenlandë u perceptua gabimisht nga Washingtoni si një veprim anti-amerikan, duke theksuar se kjo kishte për qëllim të siguronte SHBA-në dhe të adresonte shqetësimet e sigurisë në Arktik të lidhura me Kinën dhe Rusinë.
Prevot përshëndeti vendimin e Trumpit për të hequr kërcënimin e tarifave shtesë për vendet evropiane, duke i quajtur masat e tilla si “të papranueshme” ndërsa paralajmëroi se pauza mund të jetë e përkohshme për shkak të “paparashikueshmërisë” së Trumpit.
Ai tha se BE-ja duhet të përgatisë plane reagimi proporcional, përfshirë kundërmasa ekonomike nëse është e nevojshme.


