Kryeministri britanik Starmer: Sulmet e SHBA-së “zbutin” kërcënimin bërthamor nga Irani

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka mbështetur sulmet ushtarake të Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit, duke thënë se ato ndihmojnë në zbutjen e kërcënimit që, sipas tij, paraqet programi bërthamor i Teheranit.

“Irani nuk duhet të lejohet kurrë të zhvillojë një armë bërthamore,” shkroi Starmer në një postim në platformën X.

“Situata në Lindjen e Mesme mbetet e paqëndrueshme dhe stabiliteti në rajon është përparësi. I bëjmë thirrje Iranit të rikthehet në tryezën e bisedimeve dhe të arrijë një zgjidhje diplomatike për t’i dhënë fund kësaj krize,” shtoi ai.

Nga ana e saj, Irani ka mohuar kategorikisht se po përpiqet të zhvillojë armë bërthamore, duke theksuar se programi i tij atomik është për qëllime paqësore. Edhe Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike e OKB-së (IAEA) ka deklaruar se nuk ka prova që Irani po ndërton një armë bërthamore. /mesazhi