Kryeministri britanik vizitë të papritur në Ukrainë në Ditën e Pavarësisë

Në një vizitë të papritur në Kiev, kryeministri britanik Boris Johnson riafirmoi zotimin e tij për mbështetje për Ukrainën, transmeton Anadolu Agency (AA).

Johnson u takua me presidentin Volodymyr Zelenskyy gjatë vizitës, e cila përkoi me Ditën e Pavarësisë së Ukrainës, dhe njoftoi një paketë ndihme prej 54 milionë funtesh, duke përfshirë sisteme të mbikëqyrjes pa pilot dhe raketa.

Sipas një deklarate nga zyra e tij, Johnson i ka thënë Zelenskyy-t se Ukraina “mund dhe do ta fitojë luftën”, në vizitën e tij të tretë në vendin e përfshirë në konflikt me Rusinë.

Ai gjithashtu i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar “të ruajë qëndrimin për Ukrainën, pasi ajo vazhdon të mbrojë me guxim sovranitetin e saj gjashtë muaj pas pushtimit brutal dhe të paligjshëm të Putinit”.

“Për gjashtë muajt e fundit, Mbretëria e Bashkuar ka qëndruar krah për krah me Ukrainën, duke mbështetur këtë vend sovran për të mbrojtur veten nga ky pushtues barbar dhe ilegal”, ka theksuar ai.

“Paketa e sotme e mbështetjes do t’u japë Forcave të Armatosura të guximshme dhe elastike të Ukrainës një tjetër shtytje në aftësi, duke u mundësuar atyre të vazhdojnë të zmbrapsin forcat ruse dhe të luftojnë për lirinë e tyre”, ka thënë Johnson.

“Ajo që ndodh në Ukrainë ka rëndësi për të gjithë ne, prandaj jam këtu sot për të dhënë mesazhin se Mbretëria e Bashkuar është me ju dhe do të jetë me ju për ditët dhe muajt në vijim, dhe ju mund dhe do të fitoni”, ka shtuar kryeministri britanik.

Paketa e ndihmës ushtarake do të ndihmojë në përmirësimin e aftësive të vëzhgimit me rreze të gjatë dhe të shënjestrës mbrojtëse të Ukrainës, thuhet në deklaratë.

Deklarata gjithashtu vë në dukje se Mbretëria e Bashkuar ka ofruar deri më tani më shumë se 2,3 miliardë funte ndihmë ushtarake dhe financiare për Ukrainën që nga fillimi i luftës me Rusinë më 24 shkurt. /aa