Kryeministri i Irakut, Ali al-Zaidi, urdhëroi mbajtjen e një takimi urgjent të Këshillit Ministror për Sigurinë Kombëtare pas sulmeve ajrore SHBA-Arabi Saudite gjatë natës në vend, njoftoi Qendra e Medias së Sigurisë, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, Qendra e Medias së Sigurisë tha se al-Zaidi, i cili gjithashtu shërben si komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura, udhëzoi këshillin të mblidhet urgjentisht në përgjigje të “zhvillimeve të sigurisë dhe bombardimeve ajrore ndaj të cilave vendi u ekspozua në agimin e sotëm”.
Qendra tha se një deklaratë e detajuar që përshkruan zhvillimet dhe vendimet e marra gjatë takimit do të publikohet më pas.
Vendimi erdhi pasi Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se forcat amerikane dhe saudite kryen sulme të përbashkëta me precizion ndaj grupeve të lidhura me Iranin në Irak, duke pretenduar se operacioni kishte në shënjestër vende të lidhura me sulmet ndaj forcave amerikane dhe infrastrukturës energjetike saudite.
Sipas CENTCOM-it, avionët luftarakë amerikanë dhe sauditë goditën disa objekte logjistike dhe të armëve në lindje të Irakut, në përgjigje të më shumë se 30 sulmeve me dronë që dyshohet se ishin drejtuar nga Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) gjatë 72 orëve të mëparshme.
Forcat e Mobilizimit Popullor (PMF), një koalicion kryesisht i përbërë nga grupe të armatosura shiite të mbështetura nga Irani, thanë se disa prej selive të tyre u goditën në sulme, duke shkaktuar viktima, të plagosur dhe dëme materiale.




