Mbi 30 komunitete në shtetin amerikan të Minnesota-s u vunë në shënjestër të një sulmi të koordinuar kibernetik ndaj sistemeve të tyre të ujësjellësit gjatë dy ditëve, njoftuan zyrtarët shtetërorë, transmeton Anadolu.
Shërbimi i Teknologjisë Informatike të Minnesota-s (MNIT) tha se sulmi kishte në shënjestër teknologjinë e përdorur nga më shumë se 30 sisteme komunitare të furnizimit me ujë mes të dielës dhe të hënës, duke bërë që shteti të aktivizojë burimet e tij për reagim ndaj incidenteve të sigurisë kibernetike.
Më herët gjatë kësaj jave, FOX News raportoi se qytetet Plymouth, South St. Paul, Maple Plain dhe Braham kishin bërë publike sulmet kibernetike.
Secila komunë tha se pasojat ishin minimale ose u neutralizuan me sukses, duke u mundësuar banorëve të vazhdojnë përdorimin e shërbimeve të ujit pa ndërprerje.
“Sulmet kibernetike ndaj infrastrukturës kritike kërkojnë reagim të koordinuar nga i gjithë aparati shtetëror”, tha në një deklaratë ndihmëskomisioneri i MNIT dhe shefi për Sigurinë e Informacionit, John Israel.
“MNIT po punon krah për krah me partnerët tanë për të shkëmbyer informacione, për të mbështetur komunitetet e prekura dhe për të ndihmuar shërbimet e ujësjellësit të rikthejnë operacionet në mënyrë të sigurt, duke forcuar njëkohësisht mbrojtjen ndaj sulmeve të ardhshme”, shtoi ai.
“Ky incident tregon pse Minnesota ka investuar në kapacitete të forta të sigurisë kibernetike dhe në partneritete. Reagimi ynë funksionoi ashtu siç ishte parashikuar, duke u mundësuar agjencive në të gjitha nivelet e qeverisjes të koordinohen me shpejtësi, të izolojnë incidentin dhe të ndihmojnë në parandalimin e pasojave më serioze ndaj shërbimeve kritike”, tha më tej Israel.




