Kryeministri i Perusë largohet nga posti pas vetëm katër ditëve

Hector Valer

Kryeministri peruan Hector Valer konfirmoi të shtunën se ai po largohet vetëm katër ditë pasi u emërua në këtë post, pas akuzave se ai rrahu vajzën dhe gruan e tij të ndjerë, duke krijuar një vakum të ri në vend.

Presidenti Pedro Castillo ka thënë të premten se do të riorganizonte kabinetin në dritën e akuzave, por nuk foli nëse Valer do të largohej.

Castillo tani duhet të emërojë kabinetin e tij të katërt në vetëm gjashtë muaj, i cili ai ka thënë se do të përfshijë përfaqësues të një sërë grupesh politike. Është e paqartë se kur do të bëhet një njoftim.

Castillo, një ish-mësues shkolle dhe anëtar i një partie marksiste-leniniste, ka lëvizur gjithnjë e më shumë në të djathtë që nga marrja e detyrës korrikun e kaluar.

Kryeministri i tij i parë ishte një lider i partisë së ekstremit të majtë, i cili u zëvendësua në tetor nga një politikan i moderuar i majtë, përpara se Castillo ta emëronte Valerin këtë javë.

Valer është një ligjvënës dhe katolik konservator që kandidoi me një parti të krahut të djathtë përpara se të dezertohej për t’u bashkuar me një bllok të Kongresit që është miqësor me Castillon.

Kryeministri i Perusë është një figurë e fuqishme. Kryeministri është këshilltari kryesor i presidentit dhe kryeson dhe ndihmon në emërimin e pjesës tjetër të kabinetit. /koha