Kryeministri Kovaçevski priti përfaqësuesin e lartë amerikan Chollet

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, priti në Shkup Derek Chollet, këshilltarin e Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Anthony Blinken, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri Kovaçevski do të zhvillojë një takim pune me përfaqësuesin e lartë amerikan, i cili po qëndron në Maqedoninë e Veriut në kuadër të vizitës së tij në rajon, e cila, sipas njoftimit të Departamentit të Shtetit, synon të theksojë përkushtimin e përhershëm të SHBA-së për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në Ballkanin Perëndimor.

Sipas njoftimit, këshilltari Chollet do të zhvillojë bisedime në Shkup për disa çështje, duke përfshirë energjinë, ekonominë dhe luftën kundër korrupsionit.

Këshilltari Chollet sot do të udhëtojë në Kosovë, ndërsa nesër do të vizitojë edhe Serbinë, ku ndër të tjera me përfaqësuesit qeveritar do të diskutojë edhe për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, me fokus njohjen reciproke.